E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse diskuton tensionet ushtarake me homologun amerikan

MOSKË, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, ka informuar homologun e tij amerikan Charles Brown mbi manovrat ushtarake të Rusisë në Mesdhe, mes tensioneve serioze me Shtetet e Bashkuara, theksuan zyrtarët në Moskë.

”Të dy gjeneralët zhvilluan bisedime telefonike më 27 nëntor me iniciativën e Rusisë për manovrat detare dhe raketore”, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes.

”Ky informacion është dhënë për të shmangur incidentet e mundshme në lidhje me praninë e anijeve të SHBA-së dhe NATO-s në afërsi të zonës së stërvitjes ruse”, tha ministria në një postim në Telegram.

Moska kështu konfirmoi në mënyrë indirekte raportet e mëparshme të mediave amerikane për një telefonatë të tillë.

Për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, për të cilën Moska gjithashtu mban përgjegjës Uashingtonin, tani ka vetëm kontakte të rralla të nivelit të lartë midis dy fuqive bërthamore.

Hera e fundit që ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov dhe homologu i tij amerikan Lloyd Austin folën në telefon ishte në muajin korrik.

Sipas ”New York Times”, gjeneralët diskutuan gjithashtu luftën në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë globale dhe rajonale në nëntor.

Gerasimov thuhet se ka informuar homologun e tij amerikan për lëshimin e raketës së re balistike ruse të tipit ”Oreshnik”, e cila u përdor kundër Ukrainës muajin e kaluar për herë të parë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›