FOKUS – Starmer: Ndalimi i UNRWA rrezikon përpjekjet humanitare në Gaza

LONDËR, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Izraeli duhet të sigurojë që agjencia kryesore e ndihmës që ende operon në Gaza mund të vazhdojë punën e saj, tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer pasi parlamenti i vendit e ndaloi atë në mënyrë efektive.
Starmer tha se ”Mbretëria e Bashkuar ishte shumë e shqetësuar nga miratimi nga Knesseti i dy ligjeve të reja që shpallin UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët) një organizatë terroriste”.
Ligjet, të cilat nuk do të hyjnë në fuqi menjëherë, do ta ndalonin UNRWA-n të operojë në tokën izraelite, duke e ndaluar në mënyrë efektive atë që të punojë në Gaza ose Bregun Perëndimor ku aksesi kontrollohet nga Izraeli.
Në një deklaratë të hënën në mbrëmje, Starmer tha se “ky legjislacion rrezikon ta bëjë të pamundur punën thelbësore të UNRWA për palestinezët, duke rrezikuar të gjithë përgjigjen humanitare ndërkombëtare në Gaza dhe ofrimin e shërbimeve thelbësore shëndetësore dhe arsimore në Bregun Perëndimor”.
Qeveria i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Izraelit që të rrisë fluksin e ndihmave në Gaza, ku OKB-ja ka raportuar se dërgesat e gjërave thelbësore humanitare “vazhdojnë të mohohen nga autoritetet izraelite, me disa përjashtime”.
Starmer tha se “situata humanitare në Gaza është thjesht e papranueshme. Ne duhet të shohim një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe një rritje të konsiderueshme të ndihmës për Gazën”.
”Sipas detyrimeve të tij ndërkombëtare, Izraeli duhet të sigurojë që ndihma e mjaftueshme të arrijë civilët në Gaza. Vetëm UNRWA mund të japë ndihma humanitare në shkallën dhe ritmin e nevojshëm”, shtoi ai.
Izraeli akuzon UNRWA-n se ka mbyllur një sy ndaj militantëve të Hamasit që pretendon se kanë depërtuar në stafin e saj.
Qeveria e mëparshme e Mbretërisë së Bashkuar pezulloi pagesat për UNRWA për akuzat se stafi i saj kishte marrë pjesë në sulme, por pagesat u rifilluan nën qeverinë laburiste, pasi një rishikim i pavarur zbuloi se organizata kishte mekanizma “të fortë” për të siguruar neutralitetin e saj./ a.jor.