FOKUS – Tregjet globale të aksioneve dhe dollari shënojnë rënie, pas tarifave gjithëpërfshirëse të Trump

LONDËR, 3 prill /ATSH/- Aksionet globale kanë rënë ndjeshëm dhe dollari amerikan arriti nivelin më të ulët në gjashtë muaj – pas njoftimit të tarifave gjithëpërfshirëse ndaj partnerëve tregtarë globalë të SHBA-së – një lëvizje që pritet të përmbysë zinxhirët e furnizimit dhe të shkaktojë trazira ekonomike, sipas “The Guardian”.
Tregjet evropiane shënuan sot një rënie në të gjithë bordin. Në Londër, “FTSE 100” ra me 1,5%, “Dax” i Gjermanisë ra me 2,3% dhe “CAC” i Francës me 2,5%.
Dollari u ul gati 2% kundrejt valutave të huaja, përfshirë paundin, i cili u rrit më shumë se një cent e gjysmë në 1,3148 dollarë.
“Deutsche Bank” dërgoi një shënim duke paralajmëruar klientët që të ruheshin nga kriza e besimit të dollarit.
Investitorët e Londrës rritën bastet për uljen e normave të interesit nga bankat qendrore, ndërsa politikëbërësit kanë rritur përpjekjet për të shmangur një recesion global.
Tregjet e parasë tani po vlerësojnë shansin prej 92% që Banka Qendrore Evropiane të ulë normat e interesit të eurozonës në takimin e këtij muaj, nga 80% që ishte dje.
Shanset për një ulje të normës së Bankës së Anglisë në fillim të majit janë rritur gjithashtu, në 77%.
Në Azi, partnerët tregtarë u goditën nga rritjet më të larta të tarifave prej 10% të vendosura për importet nga të gjitha vendet që shesin mallra në SHBA.
Brenda natës, “Nikkei” dhe “Topix” i Japonisë ranë përkatësisht me 3,3% dhe 3,5%, pasi presidenti amerikan, Trump njoftoi tarifën prej 24% ndaj vendit.
“Hang Seng” i Hong Kongut ra me 1,9%, ndërsa tregu i aksioneve në Vietnam – i cili u godit me tarifa 46% – ra me 6,7%.
Rënia u pasua gjithashtu nga “Futures” amerikane. “Dow Futures” dhe “S&P 500 Futures” shënuan respektivisht, rënie prej 2,7% dhe 3,4%.
“Indeksi Nasdaq” i përqendruar në teknologji ra me 3,8%.
“Nasdaq Futures” u godit më rëndë nga tre tregjet kryesore, duke shënuar një rënie prej 3,5%, me përfaqësues të tillë si “Apple” – me një rënie prej 7%.
“Nike” regjistroi një rënie të ngjashme prej 7,3%, prodhuesi i çipave “AI Nvidia” ra me 5,6% dhe “Tesla” ra me mbi 8%. //a.i/