FOKUS – Zelensky: Një armëpushim pa garanci do të ishte një dështim

LONDËR, 3 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se çdo armëpushim në Ukrainë do të ishte i dënuar me dështim nëse nuk do të ishin garancitë e sigurisë për të parandaluar rifillimin e armiqësive.
“Do të jetë një dështim për të gjithë nëse Ukraina detyrohet të marrë një armëpushim pa garanci serioze sigurie”, u tha ai gazetarëve në Londër.
“Le të imagjinojmë që pas një jave (pas një armëpushimi të mundshëm) rusët të fillojnë të na vrasin përsëri dhe ne të hakmerremi, gjë që do të ishte plotësisht e kuptueshme. Çfarë do të ndodhë?”, shtoi ai.
Ai përmendi si shembull armëpushimin në fuqi në Ukrainën lindore midis 2015 dhe pushtimit rus në shkurt 2022.
“Rusët do të thonë të njëjtën gjë si 10 vjet më parë, se ishin ukrainasit që shkelën armëpushimin. Ne do të japim prova se ishin ata. Dhe kush do të përfitojë nga kjo? Rusët dhe absolutisht jo ne, jo Shtetet e Bashkuara, jo presidenti amerikan, as kolegët tanë evropianë”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se do të ishte “jo aq e lehtë” për ta zëvendësuar atë si kreu i shtetit ukrainas.
“Nuk do të ishte vetëm një çështje e organizimit të zgjedhjeve. Do të ishte gjithashtu e nevojshme të më pengonte të kandidoj për postin, gjë që do të ishte pak më e ndërlikuar”, vuri në dukje Zelensky.
Kreu i shtetit, i cili kërkon garanci sigurie për vendin e tij në rast të një armëpushimi, kujtoi se ai kishte ofruar tashmë dorëheqjen e tij në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Uashingtoni, i cili ka nisur negociatat me Rusinë pa përfshirë Ukrainën dhe Evropën, e akuzon udhëheqësin ukrainas se nuk pranon një armëpushim pa kushte.
Këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, këmbënguli dje se ”Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një udhëheqës që mund të merret me ne, të merret me rusët në një moment dhe t’i japë fund kësaj lufte”./ a.jor.