E Diel, 1 Nëntor 2026

FOL:Qytetarët të konsultohen për ndryshimet kushtetuese

Lëvizja FOL e konsideroi si lajm të mirë zgjedhjen e një kandidati konsensual për postin e Presidentit të Republikës ashtu siç e kërkon Kushtetuta, megjithëse sipas tyre ky konsensus nuk ishte i plotë. FOL në një konferencë për shtyp e ka vlerësuar pozitivisht hapat e ndërmarre për ndryshimet kushtetuese por sipas tyre axhenda e ndryshimeve kushtetuese nuk mund të artikulohet në asnjë mënyrë nga një grup i caktuar individësh.

“Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në qendër të vëmendjes në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Nuk mund dhe nuk duhet të përsëritet procesi i vitit 2008 i nxjerrjes së Kushtetutës, i cili ka përjashtuar pjesëmarrjen cilësore të qytetarëve në proces”, vlerëson FOL.

“Presidenti i Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të krijoj një grup i cili do të merr përsipër organizimin e konsultimeve të gjera me qytetaret për nevojat në ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe ky grup pastaj të hartoj rekomandimet konkrete për ndryshime kushtetuese. Ky proces duhet të ketë pronësinë e plotë nga shtetasit e Republikës së Kosovës sepse sfidat që kemi sot me kushtetutën janë pikërisht si rezultat i mungesës së pronësisë kosovare ndaj Kushtetutës së vendit”, konsideron mes tjerash Lëvizja FOL.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›