E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edita Tahiri :Dialogu me Serbinë është teknik dhe mbetet i tillë

Kryenegociatorja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka deklaruar se dialogu i nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është teknik dhe i tillë do të mbetet deri në fund.
 

Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, Tahiri ka theksuar se një prej parakushteve për t`u bërë anëtar i BE-së është fqinjësia e mirë me shtetet fqinje, si dhe kontributi për stabilitetin dhe paqen në rajon.
 

“Këto janë parakushte dhe ne si shtet i ri, i dimë këto dhe jam e bindur që edhe Serbia i di këto”, ka thënë Tahiri.
 

Sipas saj, në takimin e ardhshëm, që do të mbahet javën e ardhshme, do të bisedohet për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe të automjeteve.
 

“Do të shtrojmë çështjen e njohjes së dokumenteve të udhëtimit, pasaportave të Kosovës, targave të automjeteve, diplomave shkollore, si dhe do të vazhdojmë me temat e hapura nga takimet e mëparshme, siç janë çështja e telekomunikacionit dhe energjisë. Pastaj, do të shtrojmë përsëri çështjen e vulave të doganave për kufirin midis Kosovës e Serbisë, ku ne kërkojmë që Serbia tashmë t`i njohë vulat e Kosovës, si dhe të fillojë një simetri në marrëdhëniet tregtare”, ka thënë kryenegociatorja e Kosovës.
Tahiri ka përsëritur se ky është dialog me karakter teknik dhe në të nuk do të hapen temat politike.
 

“Dialogu përqendrohet në problemet praktike të krijuara me ndërhyrjen ilegale të Serbisë në disa fusha dhe në disa pjesë të Kosovës dhe që është koha që Serbia të tërhiqet. Ndërkohë, përmes dialogut, ne do të ofrojmë zgjidhje për dhënien e shërbimeve sa më të mira, sidomos për serbët e pjesës veriore që sot e kësaj ditë kanë mbetur peng i ndërhyrjeve të Serbisë, si dhe do të kërkojmë tërheqjen e të gjithë operatorëve apo veprimtarive ilegale nga Kosova, përfshirë edhe zhbërjen e strukturave paralele”, ka thënë Tahiri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›