E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Sfida e PS-së, të çlirojmë shqiptarët nga Sali Familja

Intervista/ Nënkryetari i Grupit Socialist shprehet se në sesionin e ri parlamentar nuk do të ketë konsensus me PD-në

TIRANË- Numri dy i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në një intervistë të parë në këtë fillimviti, deklaron se tri sfidat kryesore të socialistëve në Kuvend, do të jenë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ruajtja e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe denoncimi i korrupsionit qeverisës që lidhet kryesisht me çështjen e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe çështjen Fazlliç.

Z. Braçe, Kuvendi ka mbyllur një sesion parlamentar, ku nuk kanë munguar edhe konsensuset mes krahëve politikë në emër të reformave. Për sesionin e ri parlamentar që pritet të nisë pas ditësh, cilat do të jenë sfidat për të cilat do të luftojë grupi juaj në Kuvend?

Vetëqenia në Kuvend e Jozefina Topallit është një sfidë. Është ajo që, edhe për këto pesë muaj do të ç'drejtojë Kuvendin. Në vëmendje të çdo shqiptari, burrë apo grua, i ri apo i moshuar është shquar si shpatarja e verbër që ka therur jetën parlamentare në 3 vite e gjysmë. Në sajë të saj, sot, Kuvendi nuk ka liri, nuk ka debat të qenësishëm e profesional, nuk ka produkt që ndikon përmes procesit ligjbërës në jetën e njerëzve. Në sajë të saj, sot, Kuvendi shihet si shtëpia e injorancës dhe e korrupsionit. Njerëzit nuk e shohin si shtëpinë e tyre por si agjencinë e udhëtimeve të Jozefinës. Në sajë të saj, Kuvendi nuk ka asnjë ndikim pozitiv tek njerëzit. Shembja e kësaj vjetërsie është sfida e parë e çdo opozitari. Së dyti, jetik është garantimi i zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në Shqipëri. Kodi i ri ngarkon me detyra të posaçme edhe Kuvendin, veçanërisht me ngritjen e strukturave zgjedhore, siç është KQZ-ja. Por deri në mbajtjen e zgjedhjeve, mesa duket, Kuvendi, deputetet do të kenë rolin kyç për të mbikëqyrur, korrigjuar qeverinë e pandershme të Sali Berishës në detyrat e saj caktuar nga Kodi Zgjedhor. Ndaj mënjanë elementin më themelor, identifikues të atyre që votojnë dhe garantues për të gjithë: pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Nëse do të ketë elementë të manipulimit të zgjedhjeve ato nisin këtu, ndaj ne jemi të vendosur të monitorojmë, kontrollojmë fort e korrigjojmë, ndëshkojmë çdo përpjekje me erë të Ferdi Ponit për të ndikuar në zgjedhje që këtu. Së treti, kontrolli i qeverisjes. Veçanërisht në dy aspekte: së pari, për të frenuar tentativën e përhershme e jetësore për Sali qeverinë për të nxjerrë jashtë kornizave kushtetuese sistemin e drejtësisë, gjykatat dhe prokurorinë; së dyti, denoncim të korrupsionit. Këto dy çështje janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe natyrisht janë dy shinat e ndryshkura ku do të zvarritet Sali Qeveria. Nëse është dikush që pret nga Sali Berisha në këto gjashtë muaj të qeverisë vendin, ai duhet të zhgënjehet. Berisha nuk ka këtë qëllim të cilitdo pushtetari, shpesh i gjetur dhe në Afrikë. Këto 6 muaj Sali Berisha i ka jetike për të shpëtuar Familjen, atë politike dhe atë biologjike. Ai i ka të dyja në dyert e drejtësisë. Ndaj impenjimi i tij është nënshtrimi i Drejtësisë. Që ajo të mos ngrejë akuzënë emër të shtetit ndaj tij. Por edhe nëse ndodh, Drejtësia të mos gjykojë e bëj drejtësi për korrupsionin e tij. Çështjet janë shumë të rënda, në njërën do gjykohet vrasja e 26 shqiptarëve, në tjetrën vjedhja e 230 milion eurove, në një tjetër pastrimi dhe pastaj pasurimi qeveritar e familjar përmes një sekseri. Se është kështu, Berisha nuk ka besim tek avokati por do edhe prokurorin edhe gjykatësin. Si çdo keqbërës i përgjegjshëm për krimin e tij. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ndryshe do inkurajohet çdo hajdut. Sepse zullumi po trashet, nga shifrat e fundit që unë kam, zotërisë Damir Fazlliç, përmes kompanisë së tij"Rudnap", nga paratë e taksapaguesve shqiptarë i janë dhënë 67.6 milion euro dhe gati 46.4 për qind të parave të paguara për blerje energjie gjatë periudhës janar-shtator 2008, nga 12 për qind një vit më parë. Rudnap është sot kompania më e madhe të cilës ne i blejmë energji të shtrenjte dhe të cilës i kemi paguar ne 2 vite 105 milion euro.

Do të vazhdojë PS-ja të japë konsensusin për pjesën e mbetur të reformës në drejtësi, pasi kam parasysh që fill pas miratimit të Kodit Zgjedhor, PS-ja deklaroi se nuk do të bashkëpunonte më me PD-në për reformën në drejtësi, por që siç duket për shkak të kthimit të tij me dekret nga kreu i shtetit, u detyrua që të japë konsensusin për ligjin e prokurorisë. Do të vazhdojë kjo frymë konsensuale edhe për projektligjin për administratën gjyqësore?

Ky është perceptim i gabuar, krijuar nga llafeqeneria e një tufë batakçinjsh politikë, që enden të ngrenë gjithnjë në Kuvendin e Shqipërisë. Historia e ligjit të prokurorisë është krejt e ndryshme nga ajo që është përgojuar në Kuvend e në mejhane partiake jashtë tij. Nuk ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Ky debat ka filluar në marsin e shkuar dhe ka pasur si materie një draft fillestar që është kundërshtuar fort nga ne. Ka qenë i papranueshëm. Kemi hyrë në një proces ku kemi kundërshtuar në vazhdimësi draftet që kanë ardhur nga ministri i Drejtësisë dhe që kërcënonin pavarësinë e institucionit të prokurorisë. I kemi kundërshtuar të gjithë. Erdhëm në draftin përfundimtar, thelbësisht i ndryshëm nga ligji që donte Sali Qeveria për familjen e tij. Ky ligj, tashmë, jo vetëm u pranua nga prokurorët si i mirë, por ka dhe një garanci profesionale nga organizmat ndërkombëtarë që monitorojnë dhe asistojnë Shqipërinë për reformën në drejtësi, qoftë OPDAT-i, ashtu edhe EURALIUS-i. Ligji që miratuam në Parlament nuk ishte ligji që donte Sali Berisha, ndaj ai nuk erdhi ta votonte në Kuvend. Ashtu siç dhe Kodi nuk qe ligji që ai donte, ndaj dhe atë nuk erdhi ta votonte se dyti në Kuvend.

Po për sa i përket vazhdimit të reformës në drejtësi?

Po ku është reforma? E keni fjalën për ato palo ligje të kundërshtuar kombëtarisht nga çdo faktor interesi e ndërkombëtarisht nga çdo mision asistues këtu, si antikushtetues? Projektligji për Administratën Gjyqësore përbën një çështje tjetër dhe janë vetë grupet e interesit që e kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe natyrisht që i takon këtij institucioni që të shprehet për kushtetueshmërinë e asaj "reforme". Qëndrimi ynë në Komision të Ligjeve ka qenë kundërshtues. Pavarësisht komenteve të batakçinjve, qëndrimi ynë ka qenë i qartë: ne as kemi kërkuar dhe as kërkojmë që të kemi një gjykatë tonën, të kemi një prokurori tonën, të Partisë Socialiste. Jo! Ne duam një gjykatë dhe prokurori të pavarur, funksionale dhe efikase. Sepse mendojmë kështu, nuk do të lejojmë që Sali Berisha të ketë gjykatë e prokurori të familjes! Kush atakon këtë qëndrim tonin, ndihmon Berishën, shërben Berishën. Pse jo, bën Berishën. Te gjithë këta e kanë Berishën brenda tyre si mendim, si veprim, si produkt. Ndaj hapësira politike për ta ngjan me një garsoniere të shtrenjtë.

Një moment tjetër që pritet të ngjallë interes për opinionin publik do të jetë dhe ngritja e autoritetit të verifikimit të figurave. Do të merrni pjesë ju në këtë proces dhe a do të propozoni emra tuaj?

Të presim. Të shohim çdo të bëjë Presidenti me ligjin. Presidenti duhet të dalë mbi partinë që e propozoi dhe e bëri President. Jo për luftë imagjinare me Sali Familjen, që më pas e tregojnë si legjende partiake në Tiranë. Argumenti i tij është Kushtetuta. Ai ligj është tejet antikushtetues. Këtë tani e dinë shqiptarët dhe qeveritë partnere të perëndimit. Modestisht, mendoj se pas rreshtimit armiqësor të Sali Familjes, Presidenti nuk duhet të vihet përballë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Por, dhe kjo është zgjedhja e tij.

Në rast se ai e dekreton këtë ligj, Grupi Parlamentar i PS-së do të marrë pjesë në ngritjen e këtij autoriteti?

Në rast se ai e dekreton ligjin, do të duhet gjykimi iGjykatës Kushtetuese. Vetëm pas vendimit të saj merr përgjigje pyetja juaj

Në sesionin e ri parlamentar do të vazhdojmë të shohim ende frytet e "dashurisë" PS-PD, dhe a do të kemi një opozitë më të fortë, pasi disa veprime në sesionin e kaluar kanë krijuar përshtypjen e zbutjes së luftës opozitare?

Përsëri folklori i llafeqenerisë. Fjalori i batakçiut politik! Për fat të mirë, këta nuk ofrojnë më gjë në politikë, përveç të sharit majtas dhe kudo, sa herë që gjejnë përpara një pasqyrë që i tregon të vjetër, madje të lashtë në rini! PD-ja është sot një e keqe e vjetër, akoma në mazhorancë, vetëm në Kuvend. Por, minorancë në popull, minorancë e cila duhet certifikuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, PD-ja është kundërshtari ynë! Ne e kemi mundur atë. Zgjedhjet duhen për të mundur të keqen dhe çliruar shqiptarët nga Sali Familja, që ka rrënjosur thellë në këtë vend, në çdo familje varfëri, papunësi, përveç njërës, familjes së tij, që ka marrë punë pa nder e pasuri pa duk! Kjo është beteja dhe motoja. Për ta fituar atë, mbetet: Mos u mund kurrë nga e keqja, por munde të keqen me të mirë!

SYNIMINëse është dikush që pret nga Sali Berisha në këto gjashtë muaj të qeverisë vendin, ai duhet të zhgënjehet. Berisha nuk ka këtë qëllim të cilitdo pushtetari, shpesh i gjetur dhe në Afrikë. Këto 6 muaj, Sali Berisha i ka jetike për të shpëtuar familjen, atë politike dhe atë biologjike. Ai i ka të dyja në dyert e drejtësisë. Ndaj, impenjimi i tij është nënshtrimi i drejtësisë. Që ajo të mos ngrejë akuzë në emër të shtetit ndaj tij

KËRKESANe duam një gjykatë dhe prokurori të pavarur, funksionale dhe efikase. Sepse mendojmë kështu, nuk do të lejojmë që Sali Berisha të ketë gjykate e prokurori të familjes! Kush atakon këtë qëndrim tonin, ndihmon Berishën, shërben Berishën. Pse jo, bën Berishën. Të gjithë këta e kanë Berishën brenda tyre si mendim, si veprim, si produkt. Ndaj, hapësira politike për ta ngjan me një garsoniere të shtrenjtë.

Pra, PD-ja është kundërshtari ynë! Ne e kemi mundur atë. Zgjedhjet duhen për të mundur të keqen dhe çliruar shqiptaret nga Sali Familja, që ka rrënjosur thellë në këtë vend, në çdo familje varfëri, papunësi, përveç njërës, familjes se tij, që ka marrë punë pa nder e pasuri pa duk! Kjo është beteja dhe motoja. Për ta fituar atë, mbetet: Mos u mund kurrë nga e keqja, por munde të keqen me të mirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›