FOTO LAJM- Dollapi, rikthimi i dashurisë për (pu)shtetin

Dem Dollapi ne trazirat e 98-s
Njeriu më popullor i këtyre ditëve është Dem Dollapi. I emëruar si drejtor i Inspektoriatit të Ndërtimit për Tiranën, ai po bëhet po aq popullorë sa shumica e drejtorëve të Policisë Ndërtimore të Berishës. Ndryshe nga të tjerët, Dollapi është më fjalëpak dhe më veprues. Shkon vet në situata të vështira dhe flet në emër të ligjit. Dashuria e tij e re duket se është shteti dhe qeverisja sipas ligjit. Kjo i jep fund një periudhe të gjatë të mendësisë së tij antishtetërore.
Dem Dollapi hyn tek grupi i militantëve radikal të Berishës, që kanë qenë pjesë e ngjarjeve të dhunshme në Shqipëri. Por, një dekadë më pas ai duket se është shkëputur nga ai mentalitet. Miqtë e tij të viteve të shkuara, Sali Lusha, apo ish badigardi i Berishës Izet Haxhia, tashmë nuk kanë fatin e tij. I pari merret me aktivitet privat dhe nuk i ka aq të mira marrëdhëniet me pushtetin, i dyti është në burg në Turqi, akuzuar për përfshirje në vrasjen e Azem Hajdarit.
I vetmi i integruar prej gjithë ish militantëve radikal të PD-së në pushtet është Dem Dollapi. Një përparim mbresëlënës i tij!
Të gjithë e kemi parë këto ditë duke folur si një zyrtar serioz , në anën e ligjit kundër qytetarëve që ankohen për prishjen e banesave. Edhe ky është një hap i madh përpara. Në vitin 1998, ishte i gatshëm të shkatërronte ndërtesën e qeverisë, por askush nuk e quajti puçist.