E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO LAJM: Pse nuk e lini të shkojë në shtëpi këtë njeri?

Share

Një ish- i burgosur i Guantanamos thotë se Shqipëria i është kthyer në një burg të dytë. Egjiptiani Sherif Almeshad doli sot në konferencë për shtyp me avokatin e tij dhe me përfaqësues të organizatës Reprieve që thonë se Shqipëria nuk po e lejon pa të drejtë atë që të kthehet në Egjipt, edhe pse autoritetet egjiptiane thonë se ai është i mirëpritur atje. Përfaqësuesja e Reprieve, Katie Taylor, thotë se qeveria e re në Kajro ka ofruar edhe garanci me shkrim se Almeshad është i mirëpritur në Egjipt dhe nuk ka asnjë rrezik atje. Por autoritetet shqiptare nuk e lejojnë një gjë të tillë. Ata kanë penguar edhe të shoqen e Almeshad, një shqiptare, që të udhëtojë drejt Egjiptit.

Ministria e Brendshme nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë çështje, ndërkohë që avokatët e Almeshad thonë se do ngrenë padi ndaj ministrisë.

Almeshad u transferua në Shqipëri nga burgu i Guantanamos në shkurt të vitit 2010. Ai u mbajt në Guantanamo për tetë vjet pa asnjë akuzë.

Almeshad, një biznesmen që jetonte në Itali, u arrestua pas sulmeve të 11 shtatorit. Ai kishte shkuar në Afganistan për të takuar disa biznesmenë nga Kuvajti. Por për ti shpëtuar dhunës që shpërtheu pas sulmit amerikan në Afganistan, ai u arratis në Pakistan, ku u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›