E Shtunë, 31 Tetor 2026

FOTOLAJM/Ja romët e "Rrugëssë Kavajës" pas 40 ditësh rrugëve

TIRANË - Asgjë nuk ndryshon për mirë për romët e "Rrugës së Kavajës" në kryeqytet. Por vetëm për më keq. Edhe pse kanë kaluar 40 ditë nga dëbimi i tyre, romët e superlakuar aq shumë - sa pas kësaj vetëm një shurdhëri do të mund të mos bënte gjë – kanë mbetur pa shtëpi e katandi si të mos ishte thënë një fjalë e vetme.

Janë po rrugëve, dhe aty rrotull ish-barakave të tyre prej të cilave nuk largohen. Buzë tyre, mbi trotuaret pa pronarë dhe ndanë lumit të Lanës, ku me sa duket nuk rrezikojnë hë për hë punimet për ndërtimin e pallateve të larta, që me siguri mund ta thuash se kurrë s’mund të bëhen ndonjëherë për ta.

Në banesa të improvizuara keq e mos më keq mes pisllëkut dhe mjerimit të skajshëm, ku gjithë streha e tyre, minibota e tyre është një mishmash i sajuar me mushama, karro, thasë, bidona uji, zhele të ndotura, por edhe të lara, ku pemët në Lanë janë tashmë edhe mbajtëse të telave të rrobave të lara.

Deri kaq mund të ndërtonin gjithë këto ditë këta njerëz të pafuqishëm, të lënë vetëm. Por me vendosmëri befasuese romët kanë mbetur aty, thua se ende shpresojnë se ai vend do të ribëhet i tyre një ditë. Ndoshta nostalgjia i mban peng apo ato fare pak laçka-plaçka, që ndoshta s’kanë se si t’i transportojnë tjetërkund.

E ku tjetër? Te kush tjetër? A do ketë një tjetër fat për romët në një Shqipëri tjetër?

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›