FOTOT/ Afganistan, vatra e vetme e rezistencës ndaj talibanëve

Lugina e Panxhshirit mbetet e vetmja vatër rezistence kundër talibanëve në Afganistan, pasi militantët islamikë morën kontrollin e vendit. Ish-forcat qeveritare afgane kanë formuar atje një lëvizje rezistence, dhe po përgatiten për “konflikt afatgjatë”, por thonë se janë të gatshëm edhe të negociojnë me talibanët. Prej kur talibanët e kanë vënë Afganistanin në kontroll, pas një operacioni të shpejtë drejt kryeqytetit, Kabulit, mijëra njerëz kanë mbërritur në Panxhshir, qoftë për t’iu bashkuar rezistencës, qoftë për të gjetur një strehë për vazhdimin e jetës.
Në Panxhshir, Ahmad Massoud – i biri i komandantit legjendar të muxhahedinëve, Ahmad Shah Massoud, i cili është vrarë nga Al-Kaida dy ditë para sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 – ka formuar një forcë luftarake prej rreth 9.000 personash, ka treguar zëdëhënësi i tyre, Ali Maisam Nazary, për AFP-në. Fotografitë e shkrepura gjatë stërvitjeve shfaqin dhjetëra rekrutë duke kryer ushtrime të ndryshme për t’u përgatitur për ballafaqim me talibanët. Në fotografitë e tjera shihen edhe disa automjete të blinduara “Humvee”, duke u endur nëpër luginën që ndodhet në verilindje të Kabulit.
Fronti Kombëtar i Rezistencës ka dy objektiva kryesorë: të parandalojë gjakderdhjen e mëtejshme në Afganistan dhe të nxisë kalimin e vendit në një sistem të ri të qeverisjes. Por, sipas zëdhënësit Nazary, grupi është gjithashtu i përgatitur për konflikt, dhe nëse talibanët nuk negociojnë, ata do të përballen me rezistencë në mbarë vendin. “Kusht për një marrëveshje për paqe me talibanët është decentralizimi – një sistem që garanton drejtësi, barazi, të drejta dhe liri për të gjithë”, ka thënë zëdhënësi i forcave të rezistencës. Në Afganistan do të ketë “konflikt afatgjatë” nëse talibanët nuk pajtohen për paqe, kanë paralajmëruar forcat e rezitencës.