FRANCË – Vala e të nxehtit zbulon problematikën e investimeve në spitalet publike

PARIS, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Vala e të nxehtit po tregon nevojën për rritje të investimeve në spitale për të përgatitur më mirë objektet për nxehtësinë intensive, deklaroi të mërkurën Federata Franceze e Spitalit (FHF).
“Nëse nuk ka një plan masiv investimesh, ne nuk do të jemi në gjendje t’i përshtatim objektet tona me ndryshimet klimatike”, theksoi e deleguara e FHF-së, Zaynab Riet, në një konferencë për shtyp të mërkurën.
”Vapa i vuri ndërtesat dhe pajisjet nën presion”, tregoi ajo.
”Raportet nga spitalet tregojnë temperatura të larta në reparte, njësi frigoriferike të prishura, pajisje të mbinxehura, ashensorë që janë jashtë funksionit ose në rrezik prishjeje, qendra të dhënash të mbinxehura dhe shërbime të papërshtatshme për valët e përsëritura të të nxehtit”, deklaroi Riet.
“Ne ndërtuam disa nga spitalet tona për klimën e viteve 1980. Tani duhet t’i përshtatim ato me klimën e vitit 2026 dhe dekadave që do të vijnë”, përmblodhi ajo.
Sipas Federatës Franceze të Spitaleve (FHF), shuma vjetore e investimeve në spitale është aktualisht rreth 5,5 miliardë euro, por duhet të rritet në “midis 7,0 dhe 9,0 miliardë euro në vit” për të “mirëmbajtur infrastrukturën ekzistuese, modernizuar pajisjet dhe për të përshtatur në mënyrë të qëndrueshme spitalet dhe azilet e pleqve me ndryshimet klimatike”.
Për të ndërmarrë veprime të menjëhershme, Federata Franceze e Spitaleve (FHF) propozon lirimin e 1,1 miliardë eurove në fonde që mbahen aktualisht në rezervë në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore të vitit 2026 (për të adresuar shpenzimet e tepërta të mundshme).
Në afat të shkurtër dhe të mesëm, ajo gjithashtu beson se gati 1,0 miliard euro mund të kursehen në buxhetin kombëtar të sigurimeve shëndetësore me një ulje prej 1% të recetave për ilaçe dhe pajisje mjekësore, si në mjediset ambulatore ashtu edhe në spitale.
Në thelb, ajri i kondicionuar “është një zgjidhje e menjëhershme, por jo një kurë mrekullie”, deklaroi FHF në njoftimin për shtyp.
Sipas shifrave të mbledhura nga Federata Franceze e Spitaleve (FHF) nga një mostër prej 146 spitalesh (duke përfshirë gjysmën e spitaleve universitare dhe 60% të qendrave kryesore spitalore), aktiviteti i shërbimeve mjekësore emergjente (SAMU) u rrit me 10% në 75% gjatë valës së të nxehtit./ a.jor.