E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Spektakël francez në Statujën e Lirisë për jubileun amerikan

NJU JORK, 1 korrik /ATSH-AFP/ – Franca do të organizojë një spektakël të veçantë me drita në Statujën e Lirisë  për të shënuar 250-vjetorin e themelimit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, njoftoi Konsullata Franceze në Nju Jork.

Shfaqja, e cilësuar si një “krijim monumental artistik”, do të regjistrohet paraprakisht dhe do të transmetohet nga rrjeti ABC në nisje të 25 orëve të programacionit kushtuar festimeve të Ditës së Pavarësisë, më 4 korrik.

Sipas Konsullatës, monumenti do të paraqitet në një mënyrë të paprecedentë, përmes një skenografie që synon të nxjerrë në pah fuqinë e tij simbolike dhe emocionale.

“Kjo miqësi zgjat prej 250 vitesh, mbetet shumë e fortë dhe ka rrënjë të thella. Pikërisht për këtë arsye dëshironim të bënim diçka domethënëse,” deklaroi konsulli francez në Nju Jork, Cédrik Fouriscot.

Statuja e Lirisë, e vendosur në portin e Nju Jorkut, iu dhurua Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Franca në vitin 1886 dhe konsiderohet një nga simbolet më të njohura të vendit, si edhe një dëshmi e miqësisë historike mes dy kombeve.

Në kuadër të festimeve, Franca dërgoi këtë muaj edhe ekipin e saj akrobatik ajror, Patrouille de France.

Më 9 qershor, tetë avionë “Alpha Jet” fluturuan mbi Manhatan, duke vizatuar në qiell ngjyrat e flamurit francez pranë Statujës së Lirisë.

Shfaqja e 4 korrikut pritet të jetë një nga momentet kulmore të përkujtimit të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke vënë në pah lidhjet historike mes Parisit dhe Uashingtonit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›