E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRD: Partitë e vjetra përjashtuan emigrantët nga e drejta e votës

TIRANË- Disa qindra emigrantë shqiptarë nga qarku i Durrësit me banim në Itali (Ankona) zhvilluan sot një takim me kryetarin e FRD-së Bamir Topi, sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Oketa dhe drejtuesin e FRD dega Shijak Astrit Hoxha. 

Zyra e shtypit e FRD-së bëri të ditur se takimi u organizua në kuadër të aktiviteteve të shumta të FRD në qëndrat kryesore të komuniteteve shqiptare të vendosura në Itali, Greqi dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013. 

Në përshëndetjen e tij, kryetari i FRD-së, Bamir Topi foli për rëndësinë dhe nevojën e madhe që ka vendi për përfshirjen e të gjithë komuniteteve shqiptare jashtë në rrjedhat dhe vendimmarrjet politike në Shqipëri. 

Ai tha se kjo arrihet me akte konkrete zyrtare, është detyrim kushtetues dhe pjesë themelore programore e FRD-së, ndryshe nga partitë e vjetra politike që flasin për ta vetëm në kohë fushatash, që premtojnë shumë por kur bëjnë Kodin i përjashtojnë emigrantët.
Topi tha se Shqipëria, shteti e shoqëria shqiptare duhet të jenë krenarë për cilësinë qytetare të emigracionit, për sjelljen e tyre patriotike dhe qytetare. Ai tha se Kushtetuta kërkon një standard sjelljeve për të gjithë qytetarët, jo ndarje të tyre në dy ose tre kategori, siç ka bërë dhe bëjnë partitë e tranzicionit dhe qeveritë e dala prej tyre. 

Më tej kryetari i FRD theksoi nevojën e madhe që në zgjedhjet e qershorit të vendosë vota moderatore, vota e arsyeshme, vota cilësore, që bën diferencën nga pjesa militante e dy krahëve të vjetër të politikës. 

Ai ftoi emigrantët e Ankonës dhe gjithë Italisë të marrin pjesë direkt në zgjedhje ose indirekt përmes ndikimit pozitiv në familjet dhe komunitetin e tyre lokal, në mënyrë që 23 qershori të shënojë ndarjen përfundimtare të tranzicionit dhe nisjen e një epoke të re mirëqeverisje për shtetin dhe qytetarët. 

Vendi ka nevojë për pjesëmarrje masive, për rotacion elitash politike, për riparimin thelbësor të sistemit politik, si dhe për politikanë të përgjegjshëm që mbajnë premtimet. FRD, - garantoi Topi ka potencialin, programin dhe synimin e saj të jetë e tillë; të ndjekë, siç ka bërë edhe deri më tani, - një politikë me moral dhe integritet; të jetë derë e hapur e mendjeve civile dhe të sjellë një ndryshim thelbësor në sjelljen e shtetit shqiptar ndaj emigracionit shqiptar në botë. 

Takimi vijoi me diskutime, pyetje dhe përgjigje, përmes të cilave të pranishmit shprehën mbështetjen për programin dhe vizionin e FRD për shtetin ligjor, demokracinë, procesin politik dhe elektoral në Shqipëri, si dhe angazhimin e tyre konkret për të ndihmuar FRD në zgjedhjet e qershorit në qarkun e Durrësit dhe qarqe të tjera ku jetojnë e banojnë familjarë dhe të njohur të tyre.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›