E Diel, 1 Nëntor 2026

FRD: Qeveria, e frikësuar nga mbështetja për ne, po shantazhon dhe shkarkon nga puna njerëzit tanë

frymaFryma e Re Demokratike deklaron se ndaj anëtarëve dhe përkrahësve të kësaj partie ka nisur një valë presioni dhe shkarkimesh nga puna.

Sekretari për Burimet Njerëzore në FRD, Andi Seferi, tha se po ushtrohet presion mbi kandidatët, drejtuesit dhe anëtarët e kësaj partie.

Vetëm gjatë javës së fundit në prag dhe pas zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të FRD janë konstatuar dhe denoncuar nga strukturat e Frymës së re Demokratike në gjithë vendin të paktën 15 raste të shkarkimeve politike nga puna të anëtarëve, drejtuesve apo kandidatëve potencialë të FRD për në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, tha Seferi.

Metodat e presionit dhe shantazhit, të kërcënimit me vendin e punës apo të ndëshkimit administrativ të anëtarëve të familjarëve, përbëjnë një dukuri që të kujton regjimin e vjetër, të cilin shqiptarët do të duhet ta kishin lënë pas 22 vjet me parë. Kjo tregon gjithashtu se standardet e këtij pushteti janë frika dhe kërcënimi, se ligjet nuk kanë vlerë dhe se e gjithë struktura vendim-marrëse ekzekutive është thellësisht militante dhe e politizuar, jo në shërbim të qytetarëve por në shërbim të partisë-shtet, vijoi zyrtari i FRD.

Seferi tha se kjo qeveri që flet për integrimin nuk njeh institucionet, ligjin dhe statusin civil.

Natyrisht që vala e shkarkimeve dhe ndëshkimeve politike lidhet me faktin se qeveria ka njohur tashmë realitetin elektoral dhe mbështetjen gjithnjë e më të madhe popullore të FRD. Ajo nuk është në gjendje të debatojë programet dhe alternativat, nuk ka argument dhe as moral për konkurrence të lirë, ndaj edhe ka zgjedhur të vetmin mjet që ka në dispozicion një regjim autokratik, kërcënimin me bukën e gojës, ndëshkimin me vendin e punës dhe shantazhin politik.

FRD po evidenton çdo rast konkret dhe pas 23 qershorit garanton se do të përdorë të gjithë fuqinë e saj politike dhe institucionale për të ndëshkuar sipas ligjit të gjithë ata zyrtarë shkelës të tij, të gjithë ata që pranojnë të bëhen vegla qorre të regjimit dhe që në kundërshtim flagrant me kodin e punës dhe statutin e nëpunësit civil kthehen në ekzekutorë të urdhrave të shefave politikë për hakmarrje politike ndaj FRD dhe kritikeve politike, tha Seferi./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›