E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE dhe ODIHR me mision të përbashkët në zgjedhje. A do vendosë njeriu i Berishës për raportin?

Wolfgang GrossruckNjë marrëveshje e rinovuar së fundmi do të bëjë të mundur që në Shqipëri të vijë një mision i përbashkët vëzhgimi për zgjedhjet mes Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe ODIHR.

Lajmin e bën të ditur Balkan Insight.

Do të ketë një bashkëpunim mes të dyjave. Asambleja Parlamentare së fundmi ka deklaruar se do të riaktivizojë një marrëveshje bashkëpunimi që kemi ne dhe mendoj se të dy misionet tona do të punojnë së bashku, tha për Balkan Insight Thomas Rymer, zëdhënës i Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR.

Ne do të flasim me një zë, shtoi ai.

Por deklarata përfundimtare e këtyre dy institucioneve ka qenë çështje debati në të shkuarën.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, burimet diplomatike i thanë Balkan Insight se misioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE tentoi të minimizonte shqetësimet e opozitës për parregullsi zgjedhore.

Në atë kohë kryeministri Sali Berisha pati kundërshtuar faktin që misioni vëzhgues i ODIHR të kryesohet nga Audrey Glover. Më 7 mars, Berisha pranoi se kishte menduar ta shpallte non grata Audrey Glover në vitin 2009.

Por shqetësimet janë të mëdha për shkak se presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Wolfgang Grossruck, është një mik i afërt i kryeministrit Sali Berisha.

Grossruck, që drejtoi misionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE në vitin 2009, u kritikua nga opozita socialiste se kishte mbajtur krahun e qeverisë.

Edhe pse vëzhguesit afatgjatë të ODIHR janë dërguar në Shqipëri kryesisht më herët në zgjedhjet e shkuara, zëdhënësi Rymer tha për Balkan Insight se misioni do të arrijë në Tiranë gjashtë deri në tetë javë përpara zgjedhjeve.

Ata po mbledhin misionin dhe nuk mendoj se është problemi tek koha. Nuk ka lidhje me politikën, është kryesisht çështje logjistike, tha Rymer./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›