E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRD, Topi: Në parlament po zhvillohet akti i fundit i kapitullimit të PD

TIRANË- Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi zhvilloi sot një takim me të rinj të qarkut të Tiranës në kuadër të organizimit paraelektoral.

Topi duke iu referuar ngjarjeve të seancës parlamentare të ditës së sotme tha se parlamenti shqiptar është i mbërthyer prej orësh nga politika e vjetër e cila mban akoma peng Shqipërinë dhe shqiptarët. “Në parlament po zhvillohet akti i fundit i kapitullimit të PD-së”.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, shtoi ai, ka përgjegjësi direkte për institucionin që drejton dhe gjithçka që ndodh atje. “Ajo nuk është thjesht një moderatore që hap mikrofonat kur flasin njerëz të plotfuqishëm dhe i mbyll ato kur flasin të tjerët”.

Sipas tij Situata politike në vend i ngjan një drame të vërtetë shqiptare, ku partitë të cilat nuk kanë komisionerë dhe më së shumti qytetarët pyesin se ku do të shkojë vota e tyre.

Ai shtoi se ky fakt përbën një pasiguri të madhe për të ardhmen e të rinjve dhe se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re që nuk ndërton e zhbën KQZ- në për interesat e dy individëve.

Duke akuzuar politikën e vjetër të kryeministrit i cili nuk dëgjoi këshillat e ndërkombëtarëve dhe shkaktoi këtë kaos në vigjilje të vizitës së zonjës Ashton z. Topi e krahasoi atë me politikën e shteteve antidemokratike të Asadit dhe Lukashenkos. Ai tha se diferenca në moshë mes kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij sa vjen dhe rritet, duke i ardhur rradha nipërve të tij. Kjo për arsye se Berisha në rrugën e tij politike ka eliminuar kundërshtarët politikë dhe ka prishur rregullat e lojës tha z. Topi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›