Zgjidhet çështja e Rezolutës Çame, PDIU: Në fuqi ajo e vitit 2004
Tiranë- Pas shumë debatesh në Komisionin e Jashtëm duket se çështja për Rezolutën Çame është zgjidhur. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, PDIU shprehet se rezoluta e 8 prillit 2004 konsiderohet e miratuar dhe pritet të hyjë në fuqi sapo të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Teksti i asaj rezolute ka shumë ngjashmëri me tekstin e propozuar nga PDIU-ja: ajo kërkon heqjen e ligjit të luftës, kthimin e shumë të drejtave dhe lirive njerëzore për shtetasit shqiptarë në përgjithësi dhe çamët në veçanti. E çertifikuar dhe riaktivizuar sot, kjo rezolutë shënon ripohimin e vullnetit të Parlamentit për çështjen çame si një çështje që ekziston dhe që duhet zgjidhur medoemos. Tani qeveritë e ardhshme kanë për detyrë që ti përmbahen vullnetit sovran të Parlamentit dhe nuk mund ta injorojnë më këtë çështje të rëndësishme kombëtare. Rezoluta për çështjen çame, e propozuar konsensualisht nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit në 8 prill 2004, do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh me botimin në Fletoren Zyrtare,- ky është konfirmimi i kryetares së Parlamentit zonjës Jozefina Topalli, bërë dy deputetëve të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Kjo përgjigje e saj vjen pas hetimit të kryer nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, në bazë të së cilës është konkluduar se rezoluta e vitit 2004 është e miratuar,- thuhet në deklaratën e PDIU-së.
PDIU e vlerësoi këtë vendim si një vendim historik që detyron shtetin shqiptar të trajtojë çështjen çame në axhendën zyrtare.
Nxjerrja nga pluhurat e harresës së atij teksti resolute për të cilën shoqata Çamëria bëri shumë përpjekje duke u përgjakur me policinë ka kështu një rëndësi simbolike. Presioni dhe këmbëngulja e palëkundur e PDIU-së çoi në shkundjen e parlamentit shqiptar dhe në demaskimin e një përpjekje për të shtrembëruar dhe fshehur miratimin e rezolutës çame në 2004 akt ky që përbën një shkelje të rëndë dhe paprecedentë. Prandaj PDIU-ja do të kërkojë në një moment të përshtatshëm krijimin e një komisioni hetimorë për të sqaruar e zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar,- vijon PDIU-ja.
Më tej në deklaratë thueht se PDIU do tu bëjë presion partive të mëdha që ti përmbahen kësaj rezolute, sepse megjithëse kanë kaluar shumë vite, shumë pak është bërë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.