FRD-ja mbledh Kuvendin Kombëtar, Topi: Ne programin, të tjerët retorikën
Tiranë- Fryma e Re Demokratike do të mbledhë sot rreth orës 11:00 Kuvendin e Parë Kombëtar.
Pika më e rëndësishme e mbledhjes së sotme do të jetë ajo e miratimit të programit dhe statusit të FRD-së dhe menjëherë pas saj do të publikohet lista me 212 kandidatët e propozuar nga baza për deputetë. Gjatë ditëve të ardhshme Kryesia e FRD-së do të përzgjedhë nga kjo listë 140 emrat që do të depozitohen në KQZ të hënën e ardhshme.
Kreu i saj, zoti Bamir Topi, në një postim në faqen e tij në Facebook, tha se qytetarët “kanë nevojë për politikanë e politika serioze, që janë realistë kur premtojnë dhe kanë aftësinë të mbajnë premtimet e dhëna”
“FRD do të prezantojë nesër programin politik duke qenë partia e parë politike që harton një program, e konsulton atë me grupet e interesit dhe anëtarësinë, e miraton në Kuvend dhe e boton për ta vendosur në dispozicion të qytetarëve dhe medias. Të tjerët kanë zgjedhur fjalët dhe retorikën, ne kontratën e shkruar dhe serioze. Sepse qytetarët kanë nevojë për politikanë e politika serioze, që janë realistë kur premtojnë dhe kanë aftësinë të mbajnë premtimet e dhëna. Nesër gjithashtu do miratojmë ndryshimet në dokumentet themelore, vendosjen e parimit statusor të kufizimit për kryetarin dhe çdo funksion tjetër drejtues me vetëm dy mandate, parimin e vendimmarrjes përmes anëtarësisë 1 anëtar 1 votë, si dhe legalizimin e mendimit kritik brenda partisë, – risi që nuk gjenden në partitë e vjetra të tranzicionit dhe që sot janë tipare të partive moderne evropiane.
Duke falenderuar ata që themeluan FRD më 30 prill 2012, ata mijëra qytetarë që e mbështetën atë gjatë këtij viti pavarësisht rrethanave, presioneve dhe problematikave ende të mëdha në një vend me demokraci të brishtë, kam bindjen se FRD është sot forcë solide, e aftë të konkurrojë me sukses me 23 qershor dhe të jetë ashtu siç synon dhe ka nevojë vendi, – moderator në politikë dhe aktor kryesor në çdo vendimmarrje me rëndësi politike dhe institucionale.
Të bashkuar në respekt, në betejën për moral politik, në sfida të përbashkëta për dhënien fund të tranzicionit, për më shumë punë dhe rezultate për shtetin dhe qytetarët!”,- shkruan Topi në Facebook.