E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH: Po manipulohen zgjedhjet në fakultete

Forumi Euro Socialist i Partisë Socialiste ka reaguar sot për atë që e quan si fushatë manipulimi të zgjedhjeve në universitete për dekanë dhe rektorë. Në një reagim për mediat dega e forumit rinor të PS për Tiranën, FRESSH-Tirana “denoncon situatën e krijuar ditët e fundit në mbyllje të fushatës së zgjedhjeve në Fakultete/Universitete për Dekan/Rektor. Kjo fushatë po karakterizohet nga acarime dhe provokime me qëllimin manipulimin e rezultatit”.

FRESSH denoncon presionin ndaj studentëve për manipulimin e zgjedhjeve dhe marrjen e votës në këmbim të notave. “Presioni i ushtruar haptazi mbi studentët me mënyra dhe instrumente manipulative, siç është shtyrja e sezonit të provimeve në shumë prej Fakulteteve të UT-së, oferta për rritje note në shkëmbim të votës së studentit, kërcënime për ngelje në klase në shkëmbim të votës e shumë të tjera si këto, përfaqësojnë modelin më të keq në përdhosje të vet sistemit akademik universitar në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e FRESSH Tirana.

Sipas forumit, “sot, ushtria e pedagogëve militante me mbështetjen e drejtpërdrejt të strukturave të partisë në pushtet po skalisin dhe në brezat e studentëve kulturën e blerjes, vjedhjes dhe manipulimit të votës”.

Të rinjtë e PS-së kanë theksuar se modeli që po u jepet studentëve nga pedagogët është abuziv dhe i kundraligjshëm. ““FRESSH-Tirana” denoncon dhunën, kërcënimin dhe ofertat për të blerë votën e studentëve. Sistemi i antivlerave që promovohet sot në bankat e fakulteteve nga pseudo-pedagogët që karrierën e tyre akademike e profesionale e kanë të mbështetur nga klientelizmi dhe servilizmi ndaj pushtetit politik është i papranueshëm nga ne dhe shumicën dërrmuese të studentëve shqiptarë”, thuhet në deklaratën e FRESH.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›