E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: EULEX-i na trajton si Afganistanin

Albin Kurti, figura numër një e opozitës, është i njohur për angazhimin e tij kundër Millosheviçit. Kështu e nis shkrimin e përditshmja zvicerane “24 Heures” në intervistën që ka zhvilluar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, Kurti, ka thënë se në këto katër vjet pavarësi, Kosova ka ende nevojë për të konsoliduar institucionet shtetërore.

“Sipas mendimit tim, Kosova tani ka dy probleme të mëdha: mungesën e sovranitetit - dhe çfarë do të thotë një pavarësi pa sovranitet? - dhe papunësinë e cila llogaritet të jetë më shumë se 40 për qind. Megjithatë, për të arritur një zhvillim socialo-ekonomik duhet të bëhemi shtet sovran”, citohet të ketë thënë Kurti në intervistë.

Duke folur për prezencën ndërkombëtare në Kosovë dhe qëndrimin e lëvizjes që ai drejton karshi kësaj prezence, Kurti ka thënë se nuk është kundër të gjithë ndërkombëtarëve, mirëpo do të dëshironte që në Kosovë të kishte më shumë profesorë, ekspertë ekonomikë, inxhinierë e agronomë “që të na ndihmojnë në çështjen e zhvillimit”.

“Por, unë jam kundër ndërkombëtarëve, si EULEX-it, të cilët i kanë të gjitha kompetencat. Ata janë mbi institucionet e Kosovës, ata vendosin për ne, kurse kurrë nuk kanë qenë të zgjedhur! Unë gjithashtu i fajësoj ata për menaxhimin e krizës në mënyrë afatshkurtër, pa menduar asnjëherë në afate më të gjata. Ata na trajtojnë si Afganistanin”, ka deklaruar Kurti në intervistën dhënë të përditshmes zvicerane “24 Heures”.

Ai më tej akuzon Qeverinë Thaçi se është e korruptuar dhe se privatizojnë në mënyrë të shfrenuar dhe, siç shprehet ai, “ky është një gabim”.

Ndërkaq, rezultati i referendumit ilegal të serbëve të veriut të Kosovës për pranimin ose jo të institucioneve shtetërore të Kosovës, për Kurtin nuk është surprizë, dhe, sipas tij, me këtë veprim asgjë konkrete nuk ndryshohet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›