E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH, Rama: Një politikë e re, për një Shqipëri europiane

Të ndryshojmë politikën për ti dhënë rrugë zhvillimit të vendit. Kështu ka deklaruar kreu i PS-së Edi Rama në fjalën e tij përpara të rinjve në garën për drejtimin e FRESSH. Rama ka ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e politikës, që të gjithë bashkë në kor tu japin jetë realizimit të idealeve të të rinjve, për mirëqenie, punësim, taksim të drejtë, konkurrencë të ndershme, respektim të lirive dhe të të drejtave.
“Sot është dita që kujtojmë të reja e të rinj që kishin një ëndërr të madhe sa liria e munguar, sa të drejtat e mohuara, sa atdheu i cliruar për një të keqe që kishte marrë peng botën. Shqipëria i përulet atyre që iu kundërvunë të keqes me forcën e ëndrrës së tyre. Shqiptarët fituan pjesën e tyre duke treguar se asgjë nuk është e pamundur kur përpjekja për liri bashkon njerëzit e zakonshëm. Ajo që nuk ndërron është aspirata e njeriut për më shumë liri, të drejta, mirëqënie, ndaj sot në këtë 5 maj të vitit 100 të pavarësisë, është dita e duhur për të reflektuar për Shqipërinë që kemi dhe për të folur për atë që duam”- tha Rama.
 

Duke theksuar se liria duhet të jetë e garantuar për cdo njeri, ai është shprehur se dhe garantimi i lirisë mbetet gjysmake pa të drejtën për tu dëgjuar.
 

“E drejta e fjalës është e mangët pa të dretën për të dëgjuar, që politika të të dëgjojë nuk mjafton një zë i vetëm, por një kor i madh zërash. Duam një Rilindje Shqiptare, jo një rrënim të mëtejshëm të Shqipërisë, duam punësim, taksim të ndershëm, arsim sipas meritës dhe shëndetësi sipas nevojës, një fshat që zhvillohet. Duam një Shqipëri europiane, jo një Shqipëri që bëhet gazi i botës. Për këtë Shqipëri na duhet dhe një FRESSH i ri, na duhet ti japim së bashku formë një politike të re, ku të gjithë përfshiheni në emër të ëndrrave” tha ai.
 

6 kandidatët e përzedhur do të nisin turin e tyre elektoral në të gjithë Shqipërinë për kryetarin e ri të FRESSH, për ta hapur me Korcën dhe për ta përmbyllur me 12 qershor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›