E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH në protestë: “Meta, je ti i fundit, jo Shqipëria”

Me moton “I fundit je ti”, jo Shqipëria”, eurosocialistët, mesditën e djeshme kanë zhvilluar një tubim përpara godinës së Ministrisë së Jashtme. Të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur, përmes këtij tubimi, indinjatën e tyre për deklaratat e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, se Shqipëria nuk mund të lëvizë lirisht në Europë sepse renditet e fundit.
Në kundërpërgjigje të deklaratës së ministrit Meta, përfaqësuesja e FRESSH, Erisa Spiropali, deklaroi se nuk është Shqipëria e fundit, por Ilir Meta.
“Kjo kuti e madhe, e mbyllur dhe e vjedhur, pranë së cilës jemi mbledhur, është Ministria jonë e Jashtme e dallavereve të brendshme. Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur para disa ditësh doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Europë për një arsye absurde; sepse jemi të fundit!” - u shpreh Spiropali para godinës së Ministrisë së Jashtme. Ajo akuzon ministrin Meta për paaftësi në liberalizimin e vizave, ëndrrën e vjetër të shqiptarëve. “Nuk jemi të fundit ne. I fundit je ti që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit për të vetmen arsye sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është qeveria jote që vjedh edhe tunele”, - u shpreh Spiropali. Përfaqësuesja e FRESSH vijon lumin e akuzave që vijnë nga indinjata e gjithë popullit të opozitës, duke u shprehur se të fundit janë ministrat e qeverisë, të cilët shpërthyen gërdeca dhe vodhën miliona. “Nuk jemi të fundit ne. E fundit është administrata jote e kësaj ministrie që nuk e kemi dëgjuar kurrë të japë ndonjë zgjidhje inteligjente apo të tregojë ndonjë shkathtësi diplomatike në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta. Nuk jemi të fundit ne. Më i fundit dhe më i prapambeturi ndër të gjithë ne je ti me aleancat e tua të dallavereve dhe qeverinë tënde të korruptuar”, - tha Spiropali.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›