E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria e fjalës, Shqipëria renditet në kuota të ulëta gjatë vitit 2009

Pas konferencës kombëtare mbi “Situatën e të drejtave të njeriut” për vitin 2009, të zhvilluar më 7 dhjetor në ambientet e Hotel Tirana International, ka përfunduar Raporti vjetor mbi të Drejtat e Njeriut. Ky raport është përgatitur nga 70 organizata me synimin për t’u njohur me situatën e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve. Raporti trajton shkeljet e konstatuara gjatë këtij viti dhe mënyra se si janë trajtuar ato nga këto organizata gjatë vitit 2009. Këto janë një pjesë e shkeljeve, të cilat duhet të merren në konsideratë nga shteti.
Liria e fjalës
Në raportet e Këshillit të Europës liria e fjalës në Shqipëri renditet në kuota të ulëta, madje me kah uljeje. Gjatë kësaj periudhë kohe, në mediat e vendit janë shpeshtuar rastet e dhunës së ushtruar mbi gazetarët, mbi gazeta dhe televizione dhe sidomos mbi mediat dhe gazetarët lokalë. Raporti konstaton se mes qeverisë dhe mediave e gazetarëve janë shpeshtuar raste të polemikës publike, presionit dhe akteve arbitrare, si në rastet me editorë dhe pronarë të mediave, si gazeta e përditshme “Tema”, TV “Vizion plus”, TV “Top-Channel” (Top Media) si dhe gazeta të tjera. Po ashtu, janë shpeshtuar rastet e proceseve gjyqësore ndaj editorëve dhe mediave nga përfaqësues të administratës publike apo individë, ndonëse është në fuqi një urdhër administrativ i kryeministrit Berisha, që i ndalon punonjësit e administratës të ngrenë padi ndaj gazetarëve.
Zgjedhjet e 28 qershorit
Përsa u përket zgjedhjeve parlamentare të qershorit, Raporti konstaton se situata politike u parapri nga zhvillime politike, të cilat, në përgjithësi, u karakterizuan nga shprehje e konsensusit midis dy forcave kryesore politike, PD e PS, për hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor. Por, hartimi i Kodit Zgjedhor, Raporti konstaton se u dominua në vendimmarrjen e tij nga konsensusi PD-PS, duke anashkaluar reagimin e partive të vogla politike. Gjithashtu, Raporti bën të ditur se administrata zgjedhore ishte tërësisht politike, në të cilën u evidentua niveli i paarritur i përgatitjes profesionale të administratës zgjedhore të nivelit të dytë e të trete, rrjedhojë e pamjaftueshmërisë së kohës për trajnimin e tyre. Në kuadrin e fushatës zgjedhore, Raporti publikon se punonjës të institucioneve publike, të ministrive, bashkive, mësues, nxënësit e shkollave u përdorën nga dy forcat e mëdha politike për të marrë pjesë në aktivitet e tyre, si në Fier, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Shijak, Durrës etj.
Trafikimi i qenieve njerëzore
Sipas Raportit, me gjithë masat e hartuara nga shteti për Antitrafikimin e qenieve njerëzore, ato nuk kanë dhënë efektet e duhura për shkak të moszbatimit si duhet të tyre, si dhe për shkak të goditjes së dobët që shteti ka bërë, veçanërisht në drejtim të kapjes dhe dënimeve të krimineleve që mbajnë gjalle këtë fenomen. Gjithashtu, mungesa e avokatit mbrojtës të viktimave të trafikuara dhe mbrojtja e tyre prej prokurorëve të shtetit, ka shkaktuar probleme dhe vështirësi të shumta, për shkak të paragjykimit që ata ushqejnë për viktimat e këtij trafiku, duke bërë që proceset të mos
zhvillohen në mënyrë serioze dhe të zgjaten pa fund në vite.
Shfrytëzimi i fëmijëve
Raporti 2009 nënvizon se shteti duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi mbi çështjet sociale, duke u bazuar në eksperiencën e OJF-ve dhe duke mbështetur aktivitetet dhe programet e tyre. Roli i shërbimeve sociale duhet të përforcohet në: identifikimin proaktiv dhe referimin e fëmijëve në rrezik; monitorimin e standardeve të përkujdesjes; vlerësimin e situatës dhe zhvillimin e planeve mbrojtëse për fëmijët, familjen dhe komunitetin dhe të shërbejë si një pikë lidhëse për koordinimin e referimeve dhe përgjigjes ndaj kësaj situate.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›