FSHF: Gjyqtarët pa lekë se s’skanë llogari bankare

Të zgjedhësh profesionin e gjyqtarit të futbollit në Shqipëri duhet të mendohesh gjatë përpara se të marrësh një vendim të tillë pasi jo vetëm që duhet të përballosh dhunën psikologjike dhe atë fizike, sharjet dhe fyerjet në korr që të bëhen nga tifozët në pothuajse të gjitha stadiumet shqiptare duke arritur deri aty sa atij i kërcënohet jo pak herë seriozisht jeta, por tashmë nëse vendos që të bësh arbitrin duhet të marrësh parasysh se edhe lekët që të takojnë për këtë punë nuk të paguhen. Kjo mund të duket paksa e cuditshme dhe absurde por është mëse e vërtetë pasi po i ndodh gjyqtarëve që arbitrojnë në kampionatin shqiptar.Kështu, këta të fundit janë ankuar se ende nuk kanë marrë asnjë lek që nga muaji gusht dhe se nuk përjashtohet mundësia e bojkotit të kampionatit. Disa prej tyre që i shikon pothuajse përditë në korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë deklaruar: "Kemi që nga muaji gushti që nuk kemi marrrë lekët që na takojnë kur dihet që tashmë është dhjetor. Megjithëse disa e kanë si punë të dytë dhe ndoshta nuk vihen shumë në vështirësi financiare por ka nga ata që bëjnë vetëm këtë punë me të cilën mbajnë veten dhe familjen e tyre. Kur këto lekë na takojnë për punën që kemi bërë atëherë pse këto nuk na jepen. Do të presim edhe disa ditë dhe më pas do të mblidhemi për të vendosur se cfarë do të bëjmë" kanë deklaruar disa arbitra pa përjashtuar mundësinë e bojkotit të kampionatit. Ndërkohë që i pyetur për këtë problem Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Roland Mici deklaroi se është në dijeni të kësaj dhe sqaroi gjithcka për këtë cështje: "Jam në dijeni të asaj që thoni ju pasi përpara disa ditësh pata një takim me arbitrat dhe ata ma ngritën këtë problem. Federata Shqiptare e Futbollit ju ka bërë të ditur gjyqtarëve dhe ata e kanë pranuar që pagesën të mos ta marrin më në dorë por me anë të bankës. Mund të them se kemi bërë kalimin e të gjitha lekëve në bankë dhe arbitrat duhet që ti tërheqin pikërisht atje. Ata duhet që të hapin nga një llogari bankare dhe më pas të tërheqin lekët pasi shuma është llogaritur për të gjithë. Gjithashtu mund të them se një pjesë i kanë marrë lekët dhe vetëm disa prej tyre nuk kanë arritur që të tërheqin ende shumën. I rëndësishëm është fakti që lekët tashmë janë kaluar në bankë dhe duhet që arbitrat të hapin nga një llogari të tyre bankare për të tërhequr shumën që ju takon. Pikërisht për këtë arsye ka lindur edhe kjo ngatëresë që besoj se tashmë është zgjidhur" përfundoi prononcimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Mici. Ndërkohë që gjyqtarët e futbollit për vetë profesionin që kanë sidomos në rrethanat e Shqipërisë jo vetëm që duhet të marrin pagën që ju takon por duhet që të simulohen edhe me favore të tjera pasi dihet se cfarë heq një gjyqtar shqiptar jo vetëm në fushën e blertë por edhe në jetën e përditshme. Vetëm përpara disa javësh, kryesori Mentor Sopjani akuzoi publikisht presidentin e Burrelit, Murat Koliqi pasi ky i fundit e kishte kërcënuar me jetë disa ditë përpara ndeshjes Burreli-Erzeni. Ndërkohë që vetëm një muaj më parë u godit për vdekje në Ersekë duke i shkaktuar dëme serioze për jetën arbitri kryesor Tanush Latifi. Nuk janë vetëm këto dy raste por shumë e shumë të tjera kur dhuna mbi gjyqtarët është e pranishme pothuajse cdo javë në stadiumet shqiptare dhe këta për këto që heqin duhet të paguhen deri më një.