E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mici: "Kundershtarin 7 shkurtit e vendos Bariç"

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur të mendojë që tani për të gjetur një kundërshtar për miqësoren e 7 shkurtit, datë e lirë e lënë nga FIFA për zhvillimin e të tilla ndeshjeve. Duke qenë se për miqësoren e 15 nëntorit institucioni i futbollit dështoi dhe ndeshja nuk u zhvillua, kësaj radhe Federata nuk do të lidhet me asnjë kompani që organizojnë të tilla takime por do të kontaktojë vetë me përfaqësuese të ndryshme për të bërë të mundur zhvillimin e ndeshjes. Kështu mësohet se disa ftesa tashmë janë dërguar dhe pritet përgjigjja e tyre.Trajneri i kombëtares, Oto Baric ka kërkuar që kundërshtari të jetë në nivel më të ulët ose në një nivel me kuqezinjtë pasi kështu kroati ka mundësi që të provojë sa më shumë lojtarë dhe gjithashtu edhe të eksperimentojë skema të ndryshme duke qenë se vetëm në ndeshje të tilla ta japin këtë mundësi. Kështu mësohet se ftesa i janë bërë, Andorës, San Marinos, Basnje Hercegovinës, Polonisë dhe disa përfaqësueseve të tjera. Vetë trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Baric ka kërkuar që një miqësore e tillë të zhvillohet me cdokusht që kroati të ketë mundësi që të shikojë nga afër formën e futbollistëve si edhe të provojë lojtarë të rinj dhe gjithashtu edhe të eksperimentojë skema të reja që mund të bëhen vetëm në ndeshje të tilla. Ndërkohë që mësohet se kryepankina kuqezi mund të ndërhyjë tek kombëtaret e Kroacisë dhe Austrisë duke qenë se ka lidhje të mira me këto përfaqësuese dhe të bëjë të mundur organizmin e miqësores me ndonjë prej këtyre skuadrave. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Roland Mici për këtë cështje ka deklaruar: "Deri më tani janë disa emra skuadrash që përfliten për miqësore por ende nuk mund të themi përfundimisht se cila përfaqësuese do të jetë. Vetë trajneri Baric pasi të shqyrtojë emrat do të vendosë se me cilën kombëtare do të luajmë më datë 7 shkurt" përfundoi prononcimin e tij Sekretari Mici.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›