E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Vendimi për të huajt është i pakthyeshëm

Sipas shefit të garave, Ilir Shulkut, klubet e superligës e kanë pranuar propozimin 1 vit më parë

Kundërshtimet e Dinamos, Tiranës dhe Besës, në lidhje me vendimin e FSHF-së, që nuk lejon në fushë më shumë se pesë lojtarë të huaj, nuk i kanë shqetësuar drejtuesit e FSHF-së. Shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, ka deklaruar dje se klubet e lartpërmendura i kanë thënë "po" projektit të FSHF-së që në sezonin e kaluar. Sipas tij, edhe në mbledhjen e fundit me drejtuesit e klubeve, asnjë prej tyre nuk ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga komiteti ekzekutiv, i cili hyn në fuqi në sezonin 2008-2009. Për drejtuesin e garave, "ultimatumi" i Dinamos, Tiranës dhe Besës është i pabazë. Ai thekson se vendimi është i formës së prerë."Ky vendim i miratuar nga komiteti ekzekutiv nuk është rastësi, sepse ua kemi bërë të ditur klubeve që para fillimit të sezonit të kaluar. Dhe për këtë, drejtuesit e klubeve duhet të jenë të ndërgjegjshëm. Ata të gjithë kanë qenë dakord, që të mos jenë në fushë më shumë se pesë lojtarë të huaj. Kur e kemi diskutuar, si në sezonin e kaluar, ashtu dhe së fundmi, Tirana, Dinamo dhe Besa nuk kanë bërë asnjë ankesë, duke e miratuar projektin e FSHF-së. Ky vendim është i formës së prerë dhe hyn në fuqi këtë sezon. E përsëris, që klubeve gjithçka u është bërë e qartë. Personalisht, edhe në mbledhjen e fundit ua kam shprehur këtë vendim dhe asnjë nuk e ka kundërshtuar. Kjo bëhet për të mirën e futbollit shqiptar dhe teorikisht nuk ka sens që një ekip të ketë për shembull 11 lojtarë të huaj në fushë. Ne nuk u kemi vendosur klubeve limit për federimin e lojtarëve të huaj, por për sa i përket fushës, nuk duhet të jenë më shumë se pesë. Në kampionatin shqiptar, Dinamo ka qenë i vetmi ekip që ka pasur në disa raste gjashtë lojtarë të huaj, ndërsa të tjerët nuk e kanë kaluar shifrën pesë,"- sqaron shefi i sektorit të garave Ilir Shulku. Ndërkohë, edhe më parë klubet kanë qenë jo të qarta për sa u përket ndryshimeve në rregullore, teksa gjithnjë ngrinin zërin, por më kot, sepse kundërshtojnë ato që kanë miratuar më parë. Drejtuesit e klubeve, edhe këtë sezon, të vetmen kërkesë që i bënë FSHF ishte problemi i kartonëve të verdhë, të cilin komiteti ekzekutiv e miratoi."Shefat e klubeve duhet t'i lexojnë mirë rregulloret, në mënyrë që në mbledhjet që zhvillojmë të jenë më të përgatitur e të mos kundërshtojnë gjëra që i kanë miratuar po vetë,"- thotë Shulku.

--------------------------------------------

Sezoni i ri, hapja në Shkodër?

Si çdo vit, edhe këtë herë, më konkretisht më 24 gusht, FSHF-ja do të organizojë ceremoninë e hapjes së kampionatit të 70-të kombëtar. Sezonin e kaluar gjithçka u kthye në festë nga qyteti i Vlorës, ku u përballën në javën e parë Flamurtari dhe Tirana. Ndërsa tani radhën duket se do ta ketë Shkodra. "Janë dy ide: Ndeshja Teuta-Dinamo dhe Vllaznia-Tirana. Por me shumë mundësi ceremonia e fillimit të kampionatit do të nisë nga Shkodra, pasi në këtë qytet atmosfera pritet të jetë më e bukur,"- bën të ditur shefi i garave, Ilir Shulku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›