FSHF dënon incidentin pas ndeshjes AF Elbasani-Vllaznia

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë incidentin e rëndë të ndodhur pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, ku presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit të ndeshjes.
Në deklaratën e lëshuar nga FSHF theksohet se “një akt i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe nuk ka asnjë vend në futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit.
Përgjegjësia e drejtuesve të klubeve është edhe më e madhe. Ata duhet të jenë shembull i korrektësisë dhe respektit ndaj kundërshtarit, arbitrave dhe institucioneve të futbollit, pavarësisht tensionit të një ndeshjeje apo pakënaqësisë ndaj vendimeve të arbitrimit”.
Organet kompetente disiplinore, shprehet FSHF, do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në pavarësi të plotë në marrjen e vendimeve përkatëse.
FSHF thekson vendosmërinë për të mbrojtur arbitrat dhe çdo zyrtar të ndeshjes nga dhuna, kërcënimet dhe presioni.
“Mund të ketë debate, kritika dhe kundërshtime për vendimet e arbitrimit, por ekziston një vijë që askush nuk mund ta kalojë: dhuna fizike.
Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla, pavarësisht emrit, klubit apo pozicionit të personit që i kryen”, mbyllet deklarata e FSHF.
Ndeshja AF Elbasani-Vllaznia u mbyll në barazim 1-1 mbrëmjen e së shtunës mes polemikash e pretendimesh nga stafi e lojtarët e Vllaznisë, pasi në pjesën e dytë miqve iu anuluan dy gola nga sistemi VAR.