E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel e Sarkozi kërkojnë Samitin e 2009-ës

Gjermania dhe Franca duan që bashkërisht të jenë vendet organizatore të Samitit të NATO-s të vitit të ardhshëm. Në fakt, Samiti i 2009-ës ka një rëndësi të veçantë, sepse koincidon me 60-vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ndaj propozohet qyteti i Kelit (Kehl) në Gjermani dhe ai i Strasburgut në Francë. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do ta propozojnë këtë ide para aleatëve të NATO-s në Samitin e Bukureshtit që fillon nesër, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrih Vilhelm. "Me këtë gjest, Sarkozi dhe Merkel duan të nënvizojnë miqësinë gjermano-franceze, pajtimin evropian dhe rëndësinë e aleancës transatlantike", tha Vilhelm. Qytetet e Kelit dhe Strasburgut janë në anët e kundërta të lumit Rin, vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit. E përditshmja gjermane "Der Spiegel" shkruante muajin e shkuar se zyrtarët gjermanë kishin planifikuar fillimisht që ky samit i rëndësishëm të zhvillohej në Berlin, por Sarkozia kishte punuar në anën tjetër, që ai të transferohej në Francë, ndoshta në Paris, duke hapur telashe kështu për ambicien gjermane. Marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë u duk sikur u acaruan paksa, për shkak të një serie çështjesh problematike në muajt e fundit, përfshirë edhe pavarësinë e Bankës Qendrore, rolin e shtetit në ekonomi, marrëveshjet për energjinë bërthamore dhe politikën e jashtme, por duket se në përfundim, gjithçka është zgjidhur me një kompromis. Samiti do të ndahej kështu në dy anët e lumit Rin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›