E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush në Kroaci, takim edhe me Topin dhe Berishën

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, do të ndalet në Kroaci të premten, ndërsa Perëndimi, siç shkruan agjencia e lajmeve "Reuters", po përpiqet të fuqizojë praninë e NATO-s në Ballkan dhe përreth Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas "Reuters", Bush do të qëndrojë dy ditë në Zagreb dhe pritet të dorëzojë atje ftesën për anëtarësim në NATO të Kroacisë e ndoshta edhe të dy shteteve të tjera ballkanike, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Diplomatë të BE-së, që njohin situatën në rajon, thonë se vizita ka nëntone shumë të rëndësishme. "Ftesa për në NATO dhe vizita e Bushit, janë të koordinuara. Kjo, sepse Perëndimi po përpiqet të krijojë një kordon sigurie përreth Serbisë dhe destabilitetit të mundshëm atje", thonë ata. Edhe analistët mendojnë se Uashingtoni po synon të vendosë sa më shumë fqinjë të Serbisë nën ombrellën e NATO-s. Veç të tjerash, gjatë qëndrimit në Kroaci, Presidenti Bush do të ketë edhe një drekë me Presidentin kroat, Stipe Mesiç, Kryeministrin Ivo Sanader dhe homologët e tyre nga Shqipëria, Bamir Topi e Sali Berisha, dhe nga Maqedonia, Boris Trajkovski dhe Nikolla Gruevski.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›