FSHF e ka një Partizan, gjykatat shtyjnë pa fund çështjen
Gjyqet vazhdojnë që prej 18 muajsh, megjithatë FSHF-ja e ka dhënë verdiktin, duke njohur ekipin e financuar nga Ministria e Mbrojtjes, që u ngjit në Kategorinë e Parë
Nga DRITAN LUNDRA
KF Partizani, FK Partizani, FC Partizani, apo thjesht Partizani, apo Partizoni. Quajeni si të doni, por të paktën quajeni një skuadër futbolli. Më 1 qershor, ditën e festës së fëmijëve, është bërë edhe gjyqi, do të ndante përfundimisht se kujt i takon kjo skuadër. Megjithatë, vijon loja fëminore, pasi procesi përsëri u shty për rreth një muaj. Dhe kalvari i zvarritjeve vazhdon. Sa? Askush nuk e di, sepse kështu është gatuar, apo kështu po e gatuajnë këtë skuadër. Një skuadër, që pas vitit 2000 ka një president, Albert Xhanin, dhe pas vitit 2010 bëhet me dy, pasi në lojë hyn edhe Paro Laçi. U mendua se skuadra do të ecte përpara, por papritur të dy bashkë nuk ecin, skuadra bie shumë poshtë, dhe në lojë hyn Ministria e Mbrojtjes. Pingpong mes palëve dhe të gjithë trokasin në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit. Albert Xhani pretendon se e ka blerë stemën e skuadrës, por në sezonin e fundit Partizani në Kategorinë e Dytë luan me fanella të kuqe, por pa stemë. Xhani ka stemën, Partizani i sotëm ka fanellën dhe tifozët, megjithatë palët sytë i kanë drejtuar nga dyert e gjykatës. Ajo e kalon çështjen nga një seancë në tjetrën, por në fakt mbi këtë gjykatë është një tjetër, FSHF-ja.
Organi më i lartë i futbollit shqiptar ka deklaruar se njeh një skuadër, Partizanin e tanishëm, nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes, që nisi funksionin në shtator të 2011-ës. Me një llogari dhe logjikë të thjeshtë, skuadra e Partizanit, e ngjitur tani në Kategorinë e Parë, i përket plotësisht Ministrisë së Mbrojtjes, që e ka financuar sezonin e fundit. Partizani tjetër është inekzistent. Edhe nëse e fiton gjyqin, Partizani fantazëm duhet ta nisë kampionatin nga kategoria më inferiore (e treta) dhe më pas të ngjisë shkallët. Por nuk besojmë se ndonjë president mund ta nisë karrierën nga kategoria më inferiore. Partizani është skuadra që ka më shumë tifozë dhe janë ata, të cilët vendosin për skuadrën. Natyrisht jo në të holla, por në tifo dhe një Partizan, sado parashtesa apo prapashtesa ti ngjiten, mbetet vetëm një, ai që duan tifozët. E pavarësisht gjyqeve, tifozët e kanë vendosur, po kështu edhe FSHF-ja. Sa për gjyqet, jemi mësuar. I pari ka zgjatur 11 muaj, i dyti sapo ka nisur dhe askush nuk e di se kur do të përfundojë. Një gjë është e sigurt: kampionati shqiptar nuk do të mbetet pa Partizan.
