Dinamo seleksionon të rinjtë, por harrohet ekipi i parë
Teksa ka nisur puna për grupmoshat, nuk dihet fati i Dinamos së madhe. Askush nuk e sqaron të ardhmen e bluve në Kategorinë e Parë
Nga Andi Matraxhiu
Në radhët e dinamovitëve ka nisur prej ditësh puna në skuadrat e grupmoshave paratërinjtë dhe të rinjtë. Seleksionimi me futbollistë të ndryshëm ka filluar dhe stafi i trajnerëve me në krye trajnerin e të rinjve Dritan Mehmeti po bëjnë një punë voluminoze duke ndarë ekipet dhe lojtarët. Siç dihet Dinamo merr pjesë edhe në kampionatin profesionistë, por edhe në atë të ligës amatore për këto dy ekipe. Në përzgjedhjen e lojtarëve po ndahet dhe formohen ekipet profesioniste dhe ato amatore për të sistemuar sipas cilësive dhe të dhënave nivelin e lojtarëve. Ndërkohë që në grupmoshat po punohet, skuadra e parë është ende e paqartë. Siç dihet kontrata e pjesës kryesore të futbollistëve ka përfunduar. Dinamo ka mbetur pa lojtarë, mbase ndonjë nga futbollistët e ardhur nga skuadrat zinxhir të bluve mbeten ende pjesë e kontingjentit, ndërkohë që të tjerët janë larguar dhe sipas lakimeve mediatike kërkojnë të provojnë fatin në skuadra të tjera në sezonin 2012-2013. E ardhmja e Dinamos mbetet e zymtë. Dhomat e zhveshjes mungojnë, për të mos analizuar me radhë 100 problemet e bluve në çdo aspekt. Për më tepër shtohet edhe ftohtësia dhe mungesa e shpalljes së një projekti konkret dhe dinamovitët mbeten aktualisht në mes të udhëkryqit. Lufta në Katëgorinë e Parë do të jetë e vështirë, pasi skuadra si Partizani, Pogradeci, Elbasani, Kamza, Lushnja dhe Besëlidhja e ndonjë tjetër, do të kërkojnë Superligën ashtu si edhe Dinamo. Sigurisht në këtë ligë nuk mjafton vetëm emri i madh, titujt e fituar që blutë i kanë të shumtë, por duhet një buxhet normal financiar, futbollistë që mund të përballojnë nivelin e Kategorisë së Parë, më pas gjërat mund të ecin në rrugën e duhur. Por për momentin duket se në kampin blu spo lëviz asnjë gur. Situata është ende e paqartë. Mbase Dinamo do të kujtohet sërish të formatohet në momentet e fundit, ashtu siç bëri një sezon më parë. Kjo strategji mbase jo e dëshiruar, por e detyruar, ka qenë një nga hapat e parë më të gabuar, që më pas solli edhe rrënimin e bluve. Për herë të parë Dinamo do të militojë një kategori më poshtë. Siç dihet në Palmaresin e tyre blutë numërojnë 18 tituj kampion, 13 Kupa të Shqipërisë dhe 1 superkupë. Por sigurisht nuk mjaftojnë këto arritje dhe emri për të ngjitur shkallët e Kategorisë së Parë. Por mbase është herët për të paragjykuar ecurinë e merkatos blu, ajo sa po ka çelur dhe ka ende kohë për të menduar, por sa më shpejtë të përvishen mëngët e presidencës blu, aq më mirë do të ishte. Por padyshim ata e dinë më mirë se kushdo çfarë kërkon kjo Dinamo që deri dje dominonte futbollin shqiptarë dhe sot e sheh vetën në greminën e tij.
