Elbasani, lëvizjet e drejtuesve zgjojnë tifozët verdheblu
Tashmë të gjithë tifozët kanë filluar të besojnë se skuadra e sezonit të ri do të jetë shumë më e fortë dhe do ta arrijë objektivin e Superligës
Nga Elton Karaj
Në qytetin e Elbasanit, veçanërisht në radhët e tifozëve, është ndezur mjaft atmosfera në lidhje me skuadrën e sezonit të ri, ku parashikohet që ajo të jetë ndër pretendentet kryesore për ngjitjen në Superligë. Të gjithë kanë filluar të besojnë për këtë gjë pas emërimit të Skerdi Bejzades, ish-futbollistit të Elbasanit, në rolin e drejtorit teknik të verdhebluve. Opinioni sportiv e quan një lëvizje të zgjuar këtë emërim nga ana e presidentit Arben Laze, por kërkon që të ndërtohet një skuadër dinjitoze për të pretenduar Superligën. Objektivi i parë është që të ruhet boshti i sezonit të fundit dhe më pas të mendohet për përforcimet, që këtë radhë pritet të jenë vërtet cilësore. Presidenti Laze ka deklaruar se nga skuadra nuk do të largohet asnjë nga lojtarët, të cilët kanë kontratë me klubin dhe kjo do të thotë se me fanellën verdheblu do të jenë sërish pjesa më e madhe e titullarëve. Në këtë grup janë disa futbollistë vendës cilësorë dhe me përvojë, por edhe disa të rinj të talentuar, kështu që me pak përforcime Elbasani mund tia dalë sezonin e ardhshëm. Numri 1 i verdhebluve, Arben Laze, duket i vendosur për ta kthyer Elbasanin në elitën e futbollit shqiptar dhe për këtë arsye ai ka nisur të veprojë që tani.
Tifozët Tifozët elbasanas besojnë tashmë se skuadra do të jetë rezultative kampionatin e ardhshëm, edhe pse në Kategorinë e Parë do të jenë emra si Dinamo, Partizani, Lushnja etj. Në këto rrethana, pritet që tifozët të mbushin jo vetëm shkallët e stadiumit Ruzhdi Bizhuta, por edhe edhe të shumë stadiumeve të tjera. Pas një sezoni zhgënjyes, duke parë lëvizjet që po bëjnë drejtuesit, tifozët nuk do të kursehen aspak, sepse ata duan ta shohin Elbasanin në majat e futbollit shqiptar. Pra, është e qartë se me pretendimet në rritje të Elbasanit do të rritet edhe interesi dhe kontributi i tifozëve. Javën e ardhshme në kampin verdheblu mund të ketë ndonjë të re edhe në lidhje me merkaton.
