FSHF-ja “Kurrë një serb në bankinën kuqezi”FSHF konfirmon zyrtarisht, se nuk ka menduar asnjëherë për të vendosur në krye të bankinës së saj, teknikun Ljupko Petroviç

Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të sqarojë opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë, në lidhje me spekulimet e deritanishme mediatike, për emërimin e trajnerit të ri të kombëtares së futbollit.
Të gjitha kandidaturat e përmendura deri më tani, kanë qenë thjesht hamendësim gazetaresk, i cili në asnjë rast, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni i futbollit. Ditët e fundit në faqet e gazetave, janë deklaruar shumë emra teknikësh, si kandidatura për bankinën e skuadrës kombëtare, të cilët nuk janë dhënë nga FSHF-ja. Madje në shumë raste, kanë qenë dëshira apo hamendësime gazetareske, të cilat s’kanë pasur, asnjë bazë reale.
Ne falënderojmë të gjithë ata trajnerë që kanë shprehur mediatikisht, dëshirën për të drejtuar përfaqësuesen e Shqipërisë, pavarësisht se kanë qenë apo jo në planet tona.
FSHF konfirmon zyrtarisht, se nuk ka menduar asnjëherë për të vendosur në krye të bankinës së saj, teknikun Ljupko Petroviç. Kjo kandidaturë, si edhe shumë të tjera, kanë qenë thjesht një hamendje e medias, e cila i është servirur opinionit publik. FSHF nuk e ka pasur këtë teknik, në planet e saj.
Federata Shqiptare e Futbollit i siguron të gjithë tifozët shqiptarë, opinionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se të gjitha strukturat e saj drejtuese dhe teknike po punojnë intensivisht dhe me seriozitetin më të madh për t’i dhënë ekipit përfaqësues, një trajner të aftë dhe profesionist. Ne synojmë që trajneri i ri, t’i çojë edhe më përpara rezultatet e ekipit tonë përfaqësues dhe të ndikojë në zhvillimin e futbollit në Shqipëri.
Sa më shpejt të jetë e mundur, kandidatura që do të përzgjidhet, do të bëhet publike zyrtarisht dhe si gjithmonë me transparencë të plotë.
Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon edhe njëherë të sigurojë tifozerinë shqiptare se për ekipin kombëtar po punohet intensivisht, në mënyrë që atij dhe trajnerit të ri, t’i krijohen të gjitha kushtet për arritjen e rezultateve sa më të mira, që i kërkojmë të gjithë.
Marre nga faqja zyrtare e FSHF-se, fshf.org
E Premte, 24 Prill 2009