E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF-ja, hetim ndeshjes Shkumbini-Bylis



Pas akuzave të ashpra të kryetarit të Bashkisë së Elbasnit, Qazim Sejdini për “fiksimin e rezultatit të ndeshjeve nga ministra e deputetë”, ku aksionari kryesor i verdhbluve i referohej ndeshjes Shkumbini-Bylis (0-2) në javën e 32-të të Kategorisë Superiore, Federata Shqiptare e Futbollit përmes një komunikate për shtyp, njoftoi nisjen e “hetimeve” për grumbullimin e materialeve të nevojshme, ku në fokus, sipas qeverisë së futbollit shqiptar, është pikërisht kjo ndeshje. “FSHF-ja në vazhdimësi e ka luftuar këtë fenomen, duke synuar më të mirën, vazhdimin e garës dhe ‘Fair-Play’-in. Ajo ka dërguar inspektorët e saj për të Disiplinës për të kontrolluar garën dhe për të sjellë materiale të vlefshme, të cilat do të merren në konsideratë nga komisionet përkatëse. Sidomos për ndeshjen Shkumbini-Bylis si dhe për ndeshje të tjera, si gjithmonë duke premtuar transparencë”, -thuhet në komunikatë. Akuza e kryebashkiakut Sejdini: “Dua të shpreh indinjatën time për ata ministra të kujtdo kahu politik qofshin, që u bënë nxitës e frymëzues të trukimit të disa prej ndeshjeve që u bënë realitet në tri katër javëve të fundit. Ministrat pa integritet që futën duart e tyre të pista në kampionatin tonë të futbollit bënë një mëkat të madh që do të marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët e Elbasanit. Politika në vend të ndërhyrjeve pa vend në botën e futbollit parasëgjithash duhet të mendojë për politika sa më të qarta për zhvillimin e fuqizimin e sporteve”.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›