E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Magjistari” Filipi kërkohet nga Torino



“Ravena-Lenjano 2-0. Mision i realizuar”. Falë një goli e një asisti të sulmuesit shqiptar Brian Filipi, Ravena arriti të kapë vendin e tretë në Serinë C1/A, duke zënë edhe një vend në zonën play-of për të luftuar më pas për një rikthim në Serinë B të kampionatit italian. Sulmuesi i Kombëtares U-21 shqiptare, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ishte dhe kyçi i fitores, duke qenë në një ditë të shkëlqyer në fitoren e rëndësishme kundër Lenjanos. Pasime të panumërta, gjuajtje të fuqishme në portë, asist për golin e parë të shënuar nga Petinari, për ta mbyllur me “qershinë mbi tortë”, golin e vetë lezhjanit 19-vjeçar, të shënuar pasi i kishte vjedhur një top kundërshtarit.
Në play-of për Ravena do të përballet një sfidë të dyfishtë me Padovën (31 maj e 7 qershor). Brian Filipi, i cili u ngjit në kuotën e pësë golave në kampionat, plus gjashtë në kupë, tha për faqen zyrtare të klubit të Ravenës: “Tani duhet të mbajmë të njëjtin motivacion e të shkojmë në Padova për të fituar”. Sulmuesi shqiptar, i cili njihet në ambientin sportiv me nofkën “Magic box” (kutia magjike) është në bashkëpronësi të dyfishtë të Palermos e Ravenës, por tashmë gjysmën e kartonit që zotëron Ravena, kërkon ta blejnë si Torino ashtu dhe Xhenoa, të cilat janë të sigurta në investimin që dëshirojnë të bëjnë të sulmuesi i ri shqiptar.

Cana bën “babain” për Ben Arfën

Lorik Cana sërish në rolin e “babait shpirtëror” të Hatem Ben Arfës. Kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, ashtu siç ka bërë edhe më parë, ka marrë nën “sqetullën” e tij edhe kësaj radhe fantazistin e skuadrës së tij pas kritikave të shumta pas humbjes 1-3 me Lionin, që krijoi edhe atë diferencë negative prej tri pikësh me Bordonë kryesuese, kur kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur nga kampionati francez. “Unë jam një nga ata që besojnë te ai, edhe pse është shumë e vërtetë, që në një ndeshje si ajo e së dielës, të gjithë prisnim nga ai të bënte diferencën. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Nuk ishte në top-formë, por objektivi ynë është të marrim më të mirën prej tij, pasi ai është ‘asi nën mëngë’ për klubin për këtë fund sezoni dhe ato të ardhshëm”, - tha Cana. Vetë Ben Arfa e cilësoi humbjen si një “goditje pas koke”. “Kanë mbetur edhe dy ndeshje, por ne do të luftojmë të dalim kampion”, - tha ai.

Hamdi Salihi, 30 gola në Austri

Hamdi Salihi shënoi një gol në fitoren 3-0 të SV Ried kundër Rapidit të Vjenës, që drejtohet nga Peter Pakult, një trajner kandidat për stolin e Kombëtares shqiptare. Me fitoren kundër Rapidit, SV Ried është shumë pranë një vendi në Ligën e Europës.
Për ish-sulmuesin e Vllaznisë ky ishte goli i 12-të sezonal (po aq sa realizoi edhe kampionatin e kaluar). Goli kundër Rapidit të Vjenës ishte simbolik për Hamdiun, pasi ishte ai me numër 30-të me fanellën e Ried në 74 ndeshje kampionati. Në këtë bilanc llogariten edhe 6 golat e realizuar në gjysmën e sezonit 2006-2007, pasi më parë kishte shënuar 13 gola me Tiranën në pjesën e parë të sezonit përpara se të transferohej në Austri. Golashënuesi më i mirë i SV Ried është Nacho (13 gola), një gol më shumë se Salihi. 25-vjeçari shqiptar renditet i teti në listën e golashënuesve të kampionatit austriak, që kryesohet nga Marc Janko i Salzburgut me 39 gola. Në Austri kampion doli Salzburgu i mbrojtësit shqiptar me pasaportë austriake, Ronald Gërcaliu, i kërkuar së fundi nga Sëlltiku i Gllazgout.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›