E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF-ja, "sytë" nga Presidenti Bamir Topi

Futbolli shqiptar po kalon momentalisht një gjendje amorfe, ku askush nuk di të japë një përgjigje të saktë se kur do të zgjidhet çështja e pezullimit nga aktivitetet ndërkombëtare. Kontaktet e FSHF-së me palën shtetërore janë pothuajse "të ngrira". Pra, më shumë mediatike, sesa zyrtare. Ndërkohë që ministri i Sporteve, Ylli Pango, deklaroi se kjo çështje do të zgjidhet sa më shpejt, ka më shumë se një javë që gjërat kanë ngelur pezull dhe nuk po duket ndonjë shenjë pozitive. Koha nuk pret, por institucioni i futbollit shqiptar, tashmë, më shumë se kurrë, është me "sytë" nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Ky i fundit, i njohur si një dashamirës i futbollit, shikohet si njeriu që mund të zgjidhë këtë ngërç. Burime zyrtare në FSHF konfirmojnë për "Sportin shqiptar" se Presidenti Topi është e vetmja shpresë për zgjidhjen e çështjes, kjo nisur edhe nga biseda e fundit konfidenciale që ai ka bërë me kreun e FSHF-së, Armand Duka. Dy minuta bisedë në ceremoninë e zhvilluar në presidencë, në lidhje me ftesën që Shqipëria ka marrë për anëtarësimin në NATO, kanë mjaftuar për të shpresuar kthimin e shpejtë në FIFA. "Kam qenë shumë i angazhuar këtë periudhë, por menjëherë sa të lirohem, do të merrem personalisht për zgjidhjen e çështjes,"- i ka premtuar Presidenti Bamir Topi, kreut të futbollit shqiptar, Armand Duka. Në këtë moment kur gjërat janë qetësuar për keq dhe deklaratat e ministrit të Sporteve, Ylli Pango, janë parë shumë konfuze, futbolli shqiptar vazhdon të humbasë. Kur të gjitha kombëtaret kanë zhvilluar të paktën dy miqësore, Shqipëria ka ngelur në vend-numëro. Por jo vetëm kaq, sepse duke parë këtë situatë, edhe sponsorët e kombëtares kanë filluar të "kërcënojnë". FSHF-ja është shumë pranë marrëveshjes me kompaninë e mirënjohur "Nike", e cila pritet të sponsorizojë kombëtaren gjatë eliminatoreve të botërorit 2010. Por gjiganti i veshjeve sportive, duke parë që çështja e pezullimit nuk po zgjidhet, është tërhequr disi dhe pret përgjigjen e FSHF-së, në momentin kur gjithçka të jetë "ok". I shqetësuar për situatën është edhe sponsori tjetër i kombëtares, "Uji Tepelena", që ka firmosur një kontratë me federatën. Sidoqoftë, më shumë se kushdo, këtë periudhë po e ndien trajneri Ari Han, i cili nuk ka pasur deri më tani, as shansin për të njohur lojtarët e kombëtares. Të gjitha planifikimet për kombëtaren kanë ngelur pezull dhe këto ditë pritet që federatës së Polonisë dhe Turqisë t'u kthehet një përgjigje negative për ndeshjet miqësore midis dy kombëtareve. "Shpresojmë që të kemi sa më shpejt kontakte zyrtare me palën shtetërore, sepse koha nuk pret dhe gjithçka ka ngelur pezull. Kemi besim te Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi,"- tha dje shefi i marrëdhënieve me publikun në FSHF, Tritan Kokona. Nga korrespondencat e fundit që ka pasur UEFA me FSHF-në, kësaj të fundit i është thënë se duhet të vazhdojë punën për përfundimin me sukses të aktivitetit futbollistik. Ndërsa për problemin e pezullimit, institucioni më i lartë i futbollit europian është në pritje të plotësimit të kërkesave që i ka dhënë ministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›