SUNDIMTARI I VETEM NE SHQIPERI ESHTE PADREJTESIA
Zuri të më thosh me krenari se gjatë dhjetë viteve të fundit biznesi i tij kish njohur vetëm rritje, se aktualisht kish të punësuar rreth 30 vetë, se paguante sigurimet shoqërore për secilin prej tyre, e se i paguante taksat kokërr më kokërr. Dhe nuk mund të mos e besoje, teksa syri të shihte çdo gjë në vendin e vet brenda hapësirës, në të cilën ai kish zhvilluar atë biznes. E jo vetëm kaq; syri të shihte një mjedis shumë të pastër, punëtorë të veshur me uniforma, që lëviznin me rregull në atë mjedis në përpjekje për t‘u shërbyer klientëve të pasosur, fytyra që shpërndanin buzëqeshje për gjithkënd që kapërcente pragun e derës së tyre në kërkim të shërbimit që ata ofronin, etj., etj. Gjithçka ishte e përkryer. E në krye të punëve ish ai, boss-i, i cili nuk ndjente të lodhur e të mërzitur, teksa bënte ritualin që përsëritej ditë për ditë, prej më shumë se dhjetë vitesh. Është fjala për ritualin e punës, i cili, pavarësisht nga monotonia - e ndoshta pikërisht për shkak të kësaj monotonie - të jep kënaqësinë e arritjes, kënaqësinë e fryteve të marra pas lodhjes, e kënaqësinë e ambicieve të përmbushura.
Folëm gjatë, dhe kur u duk i bindur se kishim krijuar tanimë një marrëdhënie konfidenciale, ai e la mënjanë atë krenarinë e biznesmen-it të ndershëm, dhe më "hodhi fytyrës" zemërimin e qytetarit po njësoj të ndershëm: "Dëgjo! Po, është e vërtetë, unë i përmbush një më një të gjitha detyrimet ndaj shtetit e ndaj njerëzve që punojnë me e për mua, rrjedhimisht jam një biznesmen korrekt e një shtetas shembullor. Bukur, apo jo? Epo merre vesh njëherë e mirë, se në këtë botë mafioze, ku jetojmë, nuk shoh asnjë arsye për ta thënë këtë gjë me mburrje. E do copë? Mua më dhemb fakti që i paguaj këtij shteti të gjitha detyrimet. Do doja të mos paguaja asnjë kacidhe. Të kuptohemi, nuk është se unë dal me humbje. Jo, absolutisht; unë, pavarësisht taksave që paguaj, vazhdoj të fitoj prej biznesit tim. Por çështja është diku gjetkë. Mua më dhemb kur shoh një padrejtësi kolosale rreth meje, kur shoh se çfarë unë e kam fituar për më shumë se dhjetë vjet, ca birbo të lidhur me pushtetin (apo ca pushtetarë) e fitojnë në harkun e dhjetë ditëve, kur shoh se dhjetëra të tjerë që kanë ngritur një biznes si ky i imi, pikërisht në sajë të favoreve të përfituara prej pushtetit, fitojnë ku e ku më shumë se sa unë, kur shoh se gjindja rreth e rrotull, me t‘u informuar lidhur me korrektesën e ndershmërinë time në këtë punë që bëj, zënë e më etiketojnë me fjalën "budalla", kur shoh se tagrambledhësit, të cilët paguhen me taksat që paguaj unë e të tjerë si unë, vijnë e më trokasin tek dera e biznesit ose për t‘m‘u qurravitur për ndonjë lëmoshë në këmbim të kinse zemërgjerësisë së tyre (e cila është një kundërvajtje më vete, për të cilën unë vetë nuk kam nevojë), ose për t‘m‘u hakërruar, kur unë u dukem ca si shumë i sigurt tek korrektesa ime".
Kjo është drama e biznesmenëve të ndershëm të këtij vendi. Biznesmenët e ndershëm pra nuk mungojnë, por çështja është se ata gjenden gjithë kohën të sulmuar - përveç të tjerash - nga një brerje ndërgjegjeje. Dhe e bukura është se nuk kemi të bëjmë me një brerje ndërgjegjeje lidhur me gjëra të bëra gabim, apo lidhur me mëkate të bëra në kurriz të ndonjërit apo të ndocave. Kemi të bëjmë në fakt me një brerje ndërgjegjeje në rrethana (e për arsye) krejt të kundërta: i bren ndërgjegjja për faktin që janë të ndershëm, i bren ndërgjegjja për faktin që, ndonëse e kanë bërë natën ditë në funksion të mbarëvajtjes së biznesit të tyre, kanë marrë megjithatë prej biznesit të tyre shumë më pak se sa do të merrnin po të ndiqnin shembullin e atyre që, në vend të kenë besuar tek djersa e mundi i vet, kanë besuar tek favoret e njerëzve me pushtet. Përfytyroni pak veten në situatën e biznesmenëve të tillë! Përfytyroni nga ana tjetër që fqinji juaj është nga soji tjetër i biznesmenëve, nga ai soj biznesmenësh, që pasurinë e vënë sa hap e mbyll sytë e me një mundim qesharak, nga ai soj biznesmenësh, nga ai soj biznesmenësh, që makinën dhe shtëpinë i kanë më luksoze se sa tuajat, që fëmijët i kanë çuar nëpër universitete të huaja private, që pushimet i bëjnë në Bermuda, në Honolulu apo në Riviera Maya Mexico. Hë, do ndiheshit të lumtur në një situatë të tillë? Nuk besoj.
Dhe kur them këtë, të keqen nuk e shoh tek këputjet e tejzave të lëndës së shëndetshme morale të këtyre njerëzve (kjo gjë edhe mund të mos ndodhë, pasi shumë njerëz, bash për shkak të një formimi të rreptë moral, dinë t‘i mundin tundimet). Shoh një të keqe më të madhe, që e ka emrin tëhuajëzim. Me fjalë të tjera, kjo padrejtësi kolosale që gjallon e harliset mu përpara syve tanë rrezikon të na e bëjë të huaj këtë vend, të na ftohë për fare me këtë vend, apo më keq akoma, të na armiqësojë me këtë vend. Pasojat? Fillimisht njerëzit, kur nuk kanë mundësi ta braktisin këtë vend, bëhen pasivë e apatikë, por në një ditë të nesërme, fare papritur, mund të rebelohen në mënyrë të frikshme e të dhunshme. Në kundërshtim me ç‘mund të mendohet, më shumë se sa varfëria, fitilin e zemërimit e ndez padrejtësia. Nevoja për drejtësi është visherale tek njeriu. Dua të them se mund të jesh i varfër e mund ta përballosh me përunjësi këtë gjendje, mund ta përjetosh si një fatalitet, pa të shkuar mendja të gjesh fajtorë diku gjetkë për varfërinë tënde. Por në anën tjetër, edhe pse mund të jesh i kamur e mund t‘i kesh punët në terezi, padrejtësia të bën të mos gjesh karar në këtë botë. Padrejtësia është prore një barut gati për t‘u ndezur. Është një bombë shëtitëse me sahat; dhe - kjo është më e keqja, akoma - askush nuk e di orën e shpërthimit të kësaj bombe.
Ky është rreziku pra në këtë Shqipërinë tonë, ku sundimtari i vërtetë është padrejtësia. Mos vallë s‘ka përse ta quajmë rrezik? Mos vallë duhet ta lusim shpërthimin e kësaj bombe?