E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë apo ritual fetar?

Politikë apo ritual fetar? E kam fjalën për vizitën disaorëshe dhe kuptimin e mesazhit të përcjellë nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç nga Manastiri i Deçanit më 17 prill. Kjo ngjarje, që është përjetuar dhe interpretuar në mënyra të ndryshme nga opinioni shqiptar e serb në shtetin e Kosovës, nga shtetasit dhe shtetarët serbë, nga prania ndërkombëtare në Kosovë, nga UNMIK-u, EULEX-i dhe nga institucionet tona të larta shtetërore, vlen pikërisht për interpretimin dhe përjetimin e ndryshëm, të analizohet në disa rrafshe për të diferencuar dhe ndarë politikën nga besimi fetar.

Republika e Serbisë ka qenë, është dhe, kam bindjen, do të mbetet një shtet laik. Por respekti i vijueshëm i saj për fenë ortodokse dhe gjatë bashkëjetesës së saj me besime të ndryshme fetare në ish-Federatën Jugosllave është përdorur jo rastësisht si kolonë mbështetëse për sundimin politik dhe ushtarak të Serbisë mbi gjithë republikat dhe krahinat autonome të ish-Jugosllavisë. Në këtë mendësi në respektim e në mbrojtje të besimit u realizua dhe vizita e Tadiçit në Deçan. Nën maskën e kësaj mendësie, që u shërben drejtpërdrejt interesave politike u krye vizita e Tadiçit në Kosovë dhe u dha mesazhi i tij nga ceremonia në Deçan.

Si në politikë, edhe në respektimin e ritualit fetar ka procedura. Tadiçi e shkeli procedurën politike, duke iu drejtuar për hyrjen e tij dhe të delegacionit shoqërues në shtetin e Kosovës, përfaqësuesit zyrtar të BE-së në Kosovë. Ai, me siguri e dinte që një shtet, i njohur tashmë nga rreth 60 anëtarë të OKB-së nuk duhej dhe nuk mund të anashkalohet. Duhej që këtë t‘ia thoshte zëdhënësja e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, J. Reuter, e cila u deklarua se BE-ja nuk mund as të lejojë dhe as të ndalojë hyrjen e zyrtarëve serbë. Sipas saj, "u takon autoriteteve të Kosovës të vendosin për kërkesat në përputhje me procedurat e tyre… Janë ata që do të vlerësojnë secilën kërkesë".

Kryeministri ynë, zoti Thaçi, lejoi hyrjen e Tadiçit në Kosovë nisur nga logjika dhe zbatimi i një të drejte demokratike, duke e konsideruar këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare.

Vizita e Tadiçit në Deçan ka ditë që është kryer. E ndoqëm me shqetësim dhe vëmendje ecurinë e saj. Na shqetësonte jo vizita si e tillë, por misioni, qëllimi i saj: Ishte vërtet një pjesëmarrje shpirtërore në festën e madhe të ortodoksëve, apo ishte një gjest për të ndikuar në politikë? Na shqetësoi dita që Tadiçi zgjodhi për urimin, të premten, kur asnjë besimtar kristian, qoftë ortodoks apo katolik, nuk "guxon" të urojë Pashkët, sepse e "premtja e zezë" është ditë zie. Kurse Tadiçi, që ishte pranë kryepeshkopit serb, e quajti të premten "të madhe". Ai, me ose pa dashje, harroi që Pashkët urohen pas orës 12 të natës, me ringjalljen e Krishtit, që simbolizon ringjalljen, paqen, shpresën. Por ai nuk harroi të përcjellë në fjalën e vet mesazhin e "paqes për serbët, për shqiptarët, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë".

Vizita pak orëshe e Tadiçit në Deçan nuk ishte kurrsesi kryerje e një rituali fetar, por ishte një gjest i dukshëm i domethënies politike. Ditën e përfundimit të paraqitjes së materialeve në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, ku Serbia shfrytëzoi e përdori gjithë arsenalin e vet politik e diplomatik, kreu i shtetit serb përdori kartën e fundit; shfrytëzimin e besimit fetar. Politika nervoze nuk njeh caqe, ajo nuk heziton të përdorë edhe Zotin në ditë të papërshtatshme, kur është në krizë. Dhe, me gjithë ritualin e Tadiçit, kur nga dorëzimi i materialeve në Hagë pritej, më së paku, ngrirja e njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës, Arabia Saudite konfirmoi njohjen tonë.

Vizita e Tadiçit në Deçan, e nisur "gabim" prej tij, që në adresën e kërkesës për leje të kësaj vizite në shtetin tonë, që nga dita e kremtimit të Pashkëve dhe nga mesazhi i përcjellë të "premten e zezë", sidomos për shumicën dërrmuese të banorëve të Kosovës, ka lënë shije të hidhur, jo vetëm për ne shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare, jo vetëm për strukturat shtetërore të Kosovës, por edhe për organizmat ndërkombëtarë të pranishëm dhe veprues në shtetin tonë të pavarur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›