E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF pret, por Ivankoviç pëlqen më shumë klubet

 

Jorgis Memo

Emri i trajnerit kroat Branko Ivankoviçit është kthyer në një udhëkryq Shkup-Tiranë. Dje disa agjenci lajmesh nxituan të njoftonin se ai ka firmosur për Maqedoninë, por vetë trajneri saktësoi për mediat kroate se kjo nuk është e vërtetë. Ndërkohë, burime të sigurta pranë institucionit të futbollit shqiptar, kanë bërë të ditur për “Panorama”, se pritet një përgjigje përfundimtare nga Ivankoviç, nëse do të pranojë apo jo detyrën e trajnerit të Shqipërisë. Deri para 10 majit, FSHF-ja do që trajneri të jetë zgjedhur. Mësohet se pas takimit të mërkurën në Tiranë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kroati Ivankoviç ka kërkuar tre ditë kohë për t’u menduar, edhe pse ka qenë parimisht dakord me kushtet e ofruara nga Shqipëria. Në krahasim me Maqedoninë, oferta e FSHF-së është më e lartë. “Nuk ka më tratativa me trajnerë të tjerë. Vëmendja është përqëndruar tek Branko Ivankoviç. Ai kërkoi tre ditë kohë për t’u menduar. Oferta e FSHF-së i pëlqeu. Ndërsa si një nga kushtet shtesë, ai ka pranuar qëndrimin në Tiranë, teksa nuk është habitur kurrsesi për këtë,”- tregojnë burime pranë presidentit Duka. “E prisja diçka të tillë dhe nuk më duket ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por më duhet të marrë edhe mendimin e familjes,”- mësohet t’i ketë thënë Ivankoviç, kreut të FSHF-së, në lidhje me kushtin për të qëndruar në Shqipëri gjatë gjithë kohës. Mundësitë më të mëdha janë që ai të kthejë një përgjigje pozitive, edhe pse trajneri 55-vjeçar e ka lënë gjithçka të hapur.
“Preferoj të punoj në klub”
Branko Ivankoviç ka folur dje ekskluzivisht për gazetën kroate “24 orë”, duke përgënjeshtruar lajmin e së përditshmes franceze “L’Equipe”, sikur ai ka nënshkruar për Maqedoninë. Njëkohësisht, kroati ka saktësuar gjithçka në lidhje me negociatat që ka pasur me FSHF-në. Ndër të tjera, ai është shprehur se preferon të punoj në klube. “Është e vërtetë se kam biseduar me Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Llogaritem si kandidat serioz për të dyja përfaqësueset, por nuk është marrë asnjë vendim. Tani ju mbetet federatave që të marrin vendimet e tyre dhe më mbetet mua që t’i pranoj apo jo kushtet, të cilat do t’i mi ofrojnë. Maqedonia më ka dhënë si afat për t’i kthyer përgjigje deri në fillimin e javës së ardhshme, ndërsa edhe Shqipëria kërkon që brenda 10 majit të vendosë për trajnerin,”- ka thënë Ivankoviç, duke pranuar më tej se preferon të punojë në klube.

Mediat e bënë trajner të Maqedonisë

Komplikohet edhe më shumë çështja “Branko Ivankoviç”, kandidati potencial për të marrë vendin vakant të Kombëtares shqiptare, të lënë bosh nga holandezi Ari Han. Në fakt, edhe vetë mediat elektronike maqedonase i referohen faqeve të huaja në lidhje me emërimin e kroatit në postin e kryebankinës së vendit fqinjë. Maqedonasja “Sportdenes” i referohet gjërësisht gazetës së njohur franceze, “L’Equipe”, ndërkohë që lajmi i zyrtarizimit të Branko Ivankoviçit (i pëlqyer edhe nga Oto Bariçi) në vend të Sreçko Katanecit u publikua në orët e vona të ditës së enjte (30 pril, ora 23:34) edhe në faqen e njohur Soccerëay.com. Federata Shqiptare e Futbollit (sipas medieve shqiptare ofroi më shumë para se ajo maqedonase) nuk jep asnjë koment në lidhje me fatin e negociatave. Branko Invakoviç, i cili mbërriti në Tiranë (ditën e mërkurë) së bashku edhe ish-trajnerin e Dinamos, Zlatko Daliç, bisedoi me bosin e futbollit shqiptar, Armand Duka, pasi më parë kishte konsumuar një takim me atë maqedonas, Harallamb Haxhi-Retski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›