E Shtunë, 31 Tetor 2026

E heqin nga puna, picieri terror në lokal

 

Policia e Tiranës arrestoi dje vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, personin që plagosi me thikë në qafë kuzhinieren e një restoranti pranë rrugës së Dibrës në kryeqytet. Burime zyrtare të policisë konfirmuan arrestimin e 42-vjeçarit Paris Hila, me akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Ngjarja për të cilën akuzohet i dyshuari Hila ndodhi mbrëmjen e të enjtes në ambientet e restorant “Ulqini”, në rrugën e Dibrës në Tiranë. Sipas policisë, 42-vjeçari ka goditur dy herë me thikë në qafë kuzhinieren e restorantit, Brunilda Pepa, e cila është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për t’u ndaluar nga policia vetëm disa metra larg restorantit ku ndodhi krimi. Agjentët e policisë thanë se në momentin e ndalimit i dyshuari mbante me vete edhe armën e krimit, e cila u bllokua në cilësinë e provës materiale. Dëshmitë e para në lidhje me ngjarjen flisnin për mosmarrëveshje personale mes autorit dhe të plagosurës, pasi ai pretendonte se kishte pasur një lidhje me 27-vjeçaren Pepa. Por gjatë deklarimeve që ajo ka dhënë në Spitalin Ushtarak për oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, motivi i ngjarjes ka rezultuar krejt tjetër nga pretendimet e autorit. Sipas policisë, pronari i restorantit ku ndodhi ngjarja e kishte pushuar nga puna Paris Hilën, i cili punonte aty prej disa muajsh.                      e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›