E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë nga Kavaja e Lushnja, aty ku luhet për titullin kampion

 

Tirana dhe Vllaznia, dy rivalet e mëdha për titullin e Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, do të luajnë në javën e 30-të në transfertë, Tirana kundër Besës në Kavajë dhe Vllaznia kundër Shkumbinit në fushë asnjanëse, me bindjen se do të kthehen në shtëpi me pikë të plota, tri ndeshje përpara se të përballen midis tyre në “Qemal Stafa” në javën e fundit të sezonit 2008-2009. Lufta midis gjashtë ekipeve të fundit, të cilat ndahen nga njëra-tjetra me vetëm katër pikë (Flamurtari 3-2, Bylis 28), është akoma më e ashpër, pasi një hap i gabuar do t’i çonte gjithmonë e më shumë drejt Kategorisë së Parë. Të paktën, përplasjet Partizani-Apolonia dhe Elbasani-Flamurtari vlejnë shumë për ekipet vendase. Tirana, kryesuese e kampionatit (58 pikë) dhe finaliste e Kupës së Shqipërisë do të përballet me Besën (vendi i gjashtë). Besa nuk ka më asnjë objektiv këtë sezon, e shumë prej lojtarëve titullarë ose janë larguar ose janë përjashtuar. Si Shkumbini ashtu dhe Vllaznia vijnë në përballjen e tretë sezonale pas eliminimeve në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, respektivisht me Flamurtarin e Tiranën. Takimi do të luhet në Lushnjë, ndërkohë që në favor të Vllaznisë janë dhe “kalkulimet” e Shkumbinit për një vend në Evropë. Me 7 pikë më shumë se Shkumbini i vendit të katërt (44 pikë), Dinamo (51) e ka siguruar vendin e tretë, kur janë dhe 12 pikë në lojë. Të shtunën në “Selman Stërmasi” formacioni i Shkëlqim Muçës do të përballet me Lushnjën (në nevojë urgjente për pikë). Partizani-Apolonia, dy skuadrat që ndajnë vendet 8-të (Partizani) e 11 (Apolonia), por vetëm me një pikë diferencë. Fitorja e të kuqve do ta çonte në +4 avantazhin e tyre (Partizani, thuajse i shpëtuar), ndërkohë që suksesi i plotë i fierakëve, do të përmbyste plotësisht renditjen (+2 për Apoloninë). Teuta ende mban shpresë për vendin e katërt (ka 3 pikë më pak se Shkumbini), por përballë durrsakëve do të jetë Bylisi i vendit të fundit, që do të luajë nga ana e tij për “jetë a vdekje”. Ballshiotët nuk kanë fituar asnjë ndeshje në transfertë, ndërkohë që durrsakët vijnë pas humbjes poshtëruese me Tiranën (4-1).

Java e 30-të

(02.05.2009)
Besa – Tirana
Gjyqtar: Ervis Peza
Shkumbini – Vllaznia
Gjyqtar: Artan Taullau
Dinamo – Lushnja
Gjyqtar: Lorenc Jemini
Teuta – Bylis
Gjyqtar: Sokol Çekaj
Partizani – Apolonia
Gjyqtar: Sokol Jareci
Elbasani – Flamurtari
Gjyqtar: Albano Janku
Ndeshjet luhen
në orën 17:00

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›