E Enjte, 5 Nëntor 2026

FSHV dënon dhunën e tifozëve

Përplasja mes tifozëve në prag të finales së Ligës “Gjergj Kastrioti”, apo dhe dhuna e shfaqur në zënkën mes tyre para ndeshjes Tirana – Skënderbeu nuk ka kaluar pa reagim nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Pikërisht të enjten pasdite, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejboll ka dalë me deklaratë për shtyp, atje ku ka dënuar të gjitha aktet e ndodhura para finales së femrave. Më parë Klubi Shumësportësh Tirana ishte distancuar nga aktet e ndodhura, ndërsa Skënderbeu ka mbrojtur idenë që organizatorët do të duhet ta kishin bërë më mirë punën e tyre.

“Sporti i volejbollit në vete strukturën e lojës është një sport paqësor dhe ngjarje të kësaj natyre lënë shije të hidhur kur shikon te përfshihet në to edhe të afërm stafesh apo familjarë pranë tyre. Me keqardhje konstatojmë se këto javët e fundit, ky fenomen po behet shqetësues, ndaj u bëjmë thirrje të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në këtë periudhë të sezonit sportiv, pasi kemi hyrë në fazën e nxehtë dhe emocionet janë akoma e më të mëdha.

Duke përgëzuar reagimin e Klubit Sportiv “Tirana”, që u distancua menjëherë nga ajo pjesë e pashëndetshme e tifozerisë së saj, Federata Shqiptare e Volejbollit i bën thirrje veçanërisht Klubit Shumësportësh “Skënderbeu” që të distancohet nga dhuna dhe të tërhiqet nga gjuha ofenduese, denigruese dhe aspak etike, siç nuk i ka hije një qyteti me kulturë e tradite, si Korça.

FSHV është e vendosur që të gjithë së bashku të përcjellim frymën e lojës së ndershme (Fair Play), dhe çdo tentativë për provokim që do të cënojë imazhin e sportit në përgjithësi, do të jetë objekt i ndëshkimeve, me qëllim ruajtjen e cilësisë së volejbollit për të cilin ne si Federatë kemi punuar kaq shumë”, thuhet në deklaratën e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa i ka uruar suksese finalistëve të Kupës së Shqipërisë më 6 mars, Tirana – Skënderbeu për femra dhe Tirana – Erzeni për meshkuj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›