FSK-ja filloi Festën e 28 Nëntorit nga Prekazi legjendar

Ministri Agim Çeku, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, ditën e festimeve të sotme për nderë të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 14 vjetorit të daljes publike të UÇK-së dhe ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, i filluan pikërisht nga kompleksi memorial Adem Jashari dhe vizita në familjen Jashari.
Në delegacionin e ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, morën pjesë në homazhe edhe zëvendësministri Shemsi Veseli, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral major Rrahman Rama, komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi, si edhe gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe komandantë dhe oficerë të të gjitha njësive të FSK-së.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku tha se po fillojmë këtë marshim sot, me rastin e 28 Nëntorit nga Kompleksi memorial Adem Jashari, ku zhvilluam homazhe, për ti bërë nderime të gjithë heronjve të kombit, për ti bërë nderime përpjekjeve shqiptare për këto 100 vjet, raporton RTK.
”Nga Prekazi, ne do të vazhdojmë për t’iu bashkuar festës gjithëshqiptare në Tiranë, ku do të përcjellim edhe paradën ushtarake, pjesë e së cilës është edhe kuadrati i FSK-së”, tha ai.
Më pas delegacioni i ministrisë së FSK-së dhe FSK-së u prit edhe në Kullën e Familjes Jashari nga Murat Jashari, pasardhës i familjes legjendare Jashari. Në pritjen e përzemërt ministri Agim Çeku i uroi familjes Jashari 100 vjetorin e Pavarësisë, si edhe ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe çmoj lartë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari për liri dhe pavarësi. Po ashtu edhe Murat Jashari falënderoi për vizitën si edhe i uroi të gjithë FSK-së festën e madhe të 28 Nëntorit.
Pas vizitës në homazheve në Prekaz, delegacioni i ministrisë së FSK-se dhe FSK-së vazhdoi rrugën për në Tiranë ku do ti bashkohet manifestimit gjithëkombëtar për 100 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë./Indeksonline/