VV mbulon Kuvendin me flamur kombëtar

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sikur kanë bërë edhe vitin e kaluar, kanë ngritur një flamur të madh kombëtar, në ndërtesën e Kuvendit te Republikës së Kosovës, për ta shënuar 28 nëntorin.
“Është shume me rëndësi që ky moment dhe kjo ditë të shfrytëzohet për reflektim të vështirësive për këto 100 vite që i ka kaluar kombi ynë, me vështirësitë që po ballafaqohemi sot dhe për të ardhmen e kombit”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Vetëvendosje! ka folur edhe për rëndësinë historike të rilindësve.
“28 nëntori duhet të na kujtojë se projekti i rilindasve për një Shqipëri të pavarur e sovrane ende nuk është realizuar dhe ky projekt i rilindasve duhet të jetë projekt i secilit prej nesh dhe të gjithë neve së bashku”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.
Ky është një shtet i papërfunduar, sipas kësaj lëvizjeje.
“Pra sot duhet ta kujtojmë se si ende Kosova edhe pas 5 viteve pavarësi nuk ka arritur që ta kontrollojë tërë territorin e vet. Sot duhet ta kujtojmë se gjithandej kah jetojnë shqiptarë jetojnë në kushte të mjerueshme, jetojnë ne varfëri sociale dhe jetojnë në degradim ekonomik”, vazhdon kjo komunikatë.
Deputetët e kësaj lëvizjeje këtë e kishin bërë edhe vitin e kaluar./Indeksonline/