E Diel, 1 Nëntor 2026

Fabio Kapelo: Mesi, gjenial, pasardhësi i Diego Maradonës

Italiani Fabio Kapelo, ish-trajner i Realit të Madridit, ka deklaruar për të përditshmen spanjolle, "Marca", se Lionel Mesi do të jetë pasardhësi i denjë i Diego Armando Maradonës. "Ai bën gjëra të pabesueshme. Është një talent i futbollit botëror", pohoi drejtuesi i përfaqësueses angleze. Për më tepër, nëse e krahason me holandezin Arjen Roben, apo portugezin Kristiano Ronaldo, Kapelo është i bindur se këta dy lojtarë "janë të një niveli të lartë", por "Mesi është gjenial". Një tjetër lojtar i madh, sipas teknikut 62-vjeçar, është edhe sulmuesi i Valencias, David Vija. "Është një futbollist shumë interesant, ka teknikë, realizon gola dhe lëviz mjaft mirë edhe kur nuk e ka topin. I jashtëzakonshëm, një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim. Për mendimin tim ka gjithçka që i nevojitet një sulmuesi". Kapelo nuk dëshiron ta komentojë kërkesën që i ka bërë Baldinit (drejtorit teknik të Realit të Madridit), gjatë mandatit të tij të dytë si trajner i "merengues" për të afruar Vijën në "Santiago Bernabeu". Ai nuk i përgjigjet as pyetjes nëse madrilenët gabuan që nuk e afruan lojtarin e përfaqësueses spanjolle.

Për sa i takon sezonit në La Liga, italiani shprehet i mahnitur me paraqitjet e Barcelonës së drejtuar nga Pep Guardiola. "Po luajnë shumë mirë, si gjithmonë me një stil loje që të tërheq. Futbolli i tyre bazohet në qarkullimin e topit, pasi kanë lojtarë kualitativë, të cilët mund të lidhin shumë pasime", shtoi Kapelo, duke mohuar spekulimet se presidenti Johan Laporta ka ndjekur këshillat e tij për të ndërtuar një skuadër të këtij niveli. Kur pyetet nëse "blaugranat" janë skuadra më e mirë në Evropë, drejtuesi i stolit të "Tre luanëve" preferon të mos përgjigjet në mënyrë direkte. "Nuk ka asnjë dyshim që janë një skuadër shumë e mirë. Gjithsesi, fakti nëse janë më të mirët në kontinent, apo jo, varet nga momenti që kalon ekipi" dhe siguron se Barcelona "është e favorizuar për të kaluar në turin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve, por ndeshjet e kësaj faze janë mjaft të vështira".

Trajneri është i përqendruar në miqësoren ku Anglia do të luajë kundër Spanjës, në stadiumin e Seviljas, "Sançez Pizjuan". "Jemi shumë të lumtur që do të kemi mundësinë të përballemi me kampionët e Evropës në fuqi. Ky takim do të na shërbejë që të shohim se në çfarë niveli jemi", saktësoi Kapelo. Duke folur për teknikun e iberikëve, Visente del Boske, ai tha: "Është një trajner i madh dhe një mik mjaft i mirë. Besoj se do të punojë shumë mirë në krye të Spanjës". "Don Fabio" foli edhe rreth Premiershipit, edhe sepse punon në Angli prej dy vjetësh dhe e ka vlerësuar atë si "aktivitetin më serioz, me lojtarë të nivelit të lartë e shumë të organizuar". Për Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut, ai nuk preferon të flasë rreth shanseve që ka Anglia për të triumfuar. "Më parë duhet të kualifikohemi", përfundoi Kapelo. "Mendoj se Spanja do të jetë një prej pretendenteve më të forta, por nuk duhet të harrojmë as Argjentinën, Brazilin apo Italinë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›