E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë i japin "krahë" Tiranës

Tirana fiton 2-0 ndeshjen me Shkumbinin dhe ruan hapin e Vllaznisë kryesuese. Bardheblutë marrin tri pikë të vështira në fushën e tyre, falë golave të realizuar nga lojtarët e Kombëtares, Andi Lila dhe Ansi Agolli. Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Agustin Kola ngjitet në kuotën e 36 pikëve, një më pak se shkodranët, që të mërkurën shkatërruan 4-1 Besën. Fitorja, e treta radhazi në Kategorinë Superiore, nuk ka si të mos e kënaqë drejtuesin e stolit të 23 herë kampionëve: "Luajtëm mirë dhe fituam me meritë përballë një skuadre të vështirë, deklaroi Kola. Jam mjaft i kënaqur me rezultatin dhe faktin që po mbajmë ritmin e Vllaznisë. Do të bëjmë të pamundurën që të rikthehemi në krye të tabelës dhe këtej e tutje do ta vlerësojmë çdo ndeshje si një finale".

Pas një fillimi jo të mirë të ndeshjes, me kalimin e minutave kryeqytetasit u imponuan kundërshtarëve rritim e tyre të lojës. Kur kronometri tregonte 10 minuta lojë, Migen Memelli ishte fare pranë golit të avantazhit, pas një harkimi perfekt të Abraham nga e majta. Gjithsesi, shtylla prishi festën e sulmuesit 28-vjeçar, i cili shihet si kandidat për një fanellë kuqezi në sfidën e 11 shkurtit me Maltën. Memelli ka tentuar sërish disa minuta më vonë, por këtë herë, devijimi i tij me kokë përfundoi pak centimetra jashtë portës së mbrojtur nga Ervin Llani. Avantazhi i Tiranës nuk vonon dhe mban firmën e mbrojtësit Andi Lila. Në të 27-ën, kavajasi, i cili kishte dalë në ndihmë të sulmit, gjuan bukur me kokë pas një krosimi të Muzakës dhe përshëndet rrjetën. Goli i katërt në këtë sezon për anëtarin e Kombëtares shqiptare, që ka marrë edhe duartrokitjet e trajnerit Ari Han, i cili ishte i pranishëm në tribunën e stadiumit "Selman Stërmasi". Pjesa e parë mbyllet me tentativën e Shenajt për Shkumbinin, por edhe pse ndodhej pranë portës, lojtari peqinas nuk arriti të rrezikojë portën e Nallbanit. Vendasit vazhdojnë të dominojnë edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, por Llani reagon në mënyrë të shkëlqyer pas devijimit me kokë nga Daniel Xhafa. Megjithatë, "gardiani" nuk ka mundur të bëjë asgjë përballë goditjes së dënimit të ekzekutuar nga Agolli në të 72-ën. Kjo edhe për faj të murit me lojtarët peqinas, që u hap në momentin e gjuajtjes së majtoshit bardheblu. Në çastet e fundit të takimit, Xhafa mund t‘i ngrinte shifrat në 3-0, pas asistit perfekt të Memellit, por gjuajtja e tij përfundoi shumë larg portës.

Ari Han

Trajneri i Kombëtares, i ndodhur në tribunën e stadiumit "Selman Stërmasi", ka duartrokitur golin e parë të takimit, të shënuar nga mbrojtësi Andi Lila

Superiore / Java 19

Dje

Tirana-Shkumbini 2-0

Lila 27‘, Agolli 72‘

Të mërkurën

Apolonia-Bylis 1-0

Ferizoviç 49‘

Lushnja-Elbasani 1-0

K. Arbri 37‘

Vllaznia-Besa 4-1

Sukaj 68‘, 84‘, 88‘, Sinani 79‘ / Mancaku 40‘

Partizani-Dinamo 1-0

Babamusta 84‘

Flamurtari-Teuta 1-1

Kuqi 18‘ / Alikaj 40‘

Skuadra N Pikë

1. Vllaznia 19 37

2. Tirana 19 36

3. Dinamo 19 29

4. Besa 19 29

5. Shkumbini 19 27

6. Teuta 19 25

7. Flamurtari 19 24

8. Apolonia 19 24

9. Elbasani 19 23

10. Partizani 19 19

11. Lushnja 19 17

12. Bylis 19 17



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›