E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Mosli: Shikoj Hemiltonin te Ferrari

Maks Mosli, presidenti i FIA-s, nuk ka dyshime: "Ferrari nuk mund të mungojë në jetën e një kampioni". Ndërsa këshilla e tij për Luis Hemilton për të hyrë përfundimisht në histori është: "Po të isha në vendin e Hemiltonit, do të isha i lumtur të qëndroja te MekLaren për momentin, por në kohë të caktuar do të transferohesha te Ferrari". Gerhard Berger, që ka qenë te "kokëkuqja", thotë se "nuk ekziston asgjë më e mirë se sa të fitosh garën e Monzës në drejtimin e një Ferrari". Vetëm kurorëzimi i Maranelos mund ta shenjtërojë një pilot: "Sigurisht, është vetëm opinioni im, ka vazhduar Mosli. Për sa i përket këtij Botërori, do të rivalizojnë Hemilton dhe dy makinat Ferrari". Padroni i FIA-s (nga 1993) nuk ngurron dhe flet edhe mbi të përfolurin cirkuit të dytë të Italisë: "Roma? Do të më befasonte, nëse do të bëhej. Është një problem i Eklestonit dhe jo i imi, por në Itali ka tashmë shumë cirkuite permanente të vlefshme...". Pra, është kategorik, nuk e ngre zërin, por dërgon mesazhe thumbuese. Nuk ka sens të ndërtohet nga hiçi një pistë e re shumë e kushtueshme, sikurse nuk ka sens mbajtja e kostove aktuale për skuderitë. Prandaj Mosli nuk e pranon protestën e pilotëve për ripërtëritjen e superlicencës së garave, sepse "të jetosh në parajsën fiskale, pa paguar taksa dhe më pas të ankohesh për një reduktim me 2% është vërtet e çuditshme", por presidenti është i bindur se "do të reduktojmë kostot për konstruktorët nga 2010".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›