E Diel, 1 Nëntor 2026

OK nëse do isha një prostitutë, por jo një Artiste

Në edicionin e 54-t të Bienales së Artit në Venecia edhe Shqipëria ka pavijonin e saj, kuruar nga një artist italian Riçardo Caldura (Rikardo Kaldura). Ajo ndodhet në ishullin Guideça, ku në dispozicion të publikut janë vënë veprat e 5 artistëve që kanë bashkëpunuar njëri me tjetrin dhe kanë bërë të mundur që edhe këtë vit Shqipëria të prezantohet në këtë Bienale. Artistët e ftuar janë: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli. Të gjithë jetojnë jashtë Shqipërisë, më së shumti në Itali, duke mbajtur gjithsesi lidhje të ngushta me vendlindjen, Shqipërinë. Ekspozita e tyre në Bienale titulluar “Geopatie”, fjalë e kompozuar nga dy fjalë që vijnë nga greqishtja GÈA (Tokë) dhe PÀTHOS (pasion, dashuri), përfaqëson lidhjen e ngushtë mes veprës së artit në kontekstin gjeografik, social dhe historik, duke demonstruar përpjekjet e njeriut që është në kërkim të një identiteti të ri. Por në mënyrë të veçantë në këtë Bienale po flitet për artisten Anila Rubiku, e njohur në nivele ndërkombëtare për veprat e saj bashkëkohore, në dizajn dhe instalacion. Anila Rubiku ka sallën e saj në Pavijonin e Shqipërisë, ku ka prezantuar një vepër instalacion të ndarë në 2 pjesë, ku paraqet një temë aktuale dhe shumë interesante: procesin e komplikuar të integrimit kultural. Titulli i veprës së saj është "Hats Protect Ideas" (Kapelet mbrojnë idetë), kompozuar nga 60 kapele meshkujsh që janë qëndisur sipas disa grave me kombësi të ndryshme, emigrante në Itali. Dizajni i kapeleve të secilës prej grave përmban një frazë apo një simbol, përmes së cilës gratë emigrante në Itali rrëfejnë rrugën e tyre të vështirë drejt integrimit në një shoqëri të re, që do t’u japë dhe një nënshtetësi të re. Secila kapele rrëfen historinë e këtyre grave, por edhe të vetë artistes Anila Rubiku, të cilave u është dashur të braktisin vendlindjen në kërkim të një jete më të mirë e për këtë u është dashur të përballojnë vështirësi të mëdha. Në një nga kapelet e saj të ekspozuara në Bienale, sidomos një frazë ka tërhequr më së shumti vëmendjen e publikut në Venecia. Në njërën prej tyre artistja Anila Rubiku shkruan: “Të gjithë ata që kam takuar në këto vite më pyesnin nëse kisha mbërritur me gomone në Itali ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë. Faji im i vetëm ishte se isha në Itali. Do ishte OK nëse do isha një prostitutë, por jo një Artiste” (Everybody i met in those years asked me if I came with a boat like all the Albanians arrived in Italy. My only fault was being in Italy. It was OK for me to become a prostitute but not an Artist.) Ja si e shpjegon artistja Anila Rubiku në Bienalen e Venecias veprën dhe mesazhin që ajo ka dashur të përcjellë përmes frazave dhe simboleve të qëndisura në 60 kapele burrash.

Është një rastësi e çuditshme që Edicioni i 54-t i Bienales në Venecia titullohet “ILLUMInazioni”, që do të thotë se drita e artit, ajo që inspiron burra dhe gra, kudo ku ata jetojnë, është diçka që i bashkon të gjithë…

Ky është vetëm një titull, madje një titull i bukur për një Bienale. Arti gjithmonë ka patur mundësinë ta shohë botën dhe mënyrën e të jetuarit në mënyrë krijuese dhe i lirë - nga një këndvështrim tjetër. Arti e merr frymëzimin nga jeta e përditshme dhe e interpreton atë nën një dritë krejtësisht të vetën.

Edhe ekspozita në Pallatin Grassi ka një titull gjithashtu shumë të bukur: “Bota ju përket”. Mendon se është vërtet kështu?

Nëse kuptojmë dhe pranojmë dallimet, ndoshta mund të jetojmë më mirë dhe ky është një hap drejt integrimit. “Bota ju përket” është një tjetër titull shumë i bukur për një bienale.

Vepra juaj përmban 60 kapele të dizenjuara sipas rrëfimeve të disa grave të huaja që jetojnë në Itali, për t’i bërë të njohur publikut sesa e vështirë është që të kapërcehen barrierat që ndajnë popujt njëri me tjetrin.

Shumë vështirësi si femër dhe si artiste femër; akoma më shumë si një artiste shqiptare që jeton në Itali. Në një nga kapelet e mia është qëndisur një frazë që shoqërohet me një vizatim: Everybody i met in those years asked me if I came with a boat like all the Albanians arrived in Italy. My only fault was being in Italy. It was OK for me to become a prostitute but not an Artist (Të gjithë ata që kam takuar në këto vite më pyesnin nëse kisha mbërritur me gomone në Itali, ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë. Faji im i vetëm ishte se isha në Itali. Do ishte OK nëse do isha një prostitutë, por jo një Artiste.)

Çfarë do t’i thoshit një vajze shqiptare që përpiqet të mos ndalet përpara dyshimeve që fatkeqësisht akoma ekzistojnë tek italianët përsa i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Bota është shumë e madhe. Koha kalon shpejt dhe gjërat ndryshojnë bashkë me kohën. Defektet e sotme janë cilësitë e mëdha të së nesërmes. E rëndësishme është që të kesh besim te vetja.

Përveç artit, çfarë tjetër mendon se mund ta integrojë shoqërinë aq sa të harrojnë dallimet e të mendojnë se i përkasin të gjithë njerëzimit?

Të duan atë çka i dallon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›