E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas përmirëson Xavin

Nga Express më 23 shtator 2011 në ora 22:39

Ylli i Barcelonës, Xavi ka thënë se ardhja e Cesc Fabregasit e ka bërë atë futbollist edhe më të mirë gjatë këtij sezoni. Xavi ishte në listën e ngushtë të kandidatëve për Topin e Artë të FIFA-s vitin e kaluar, por 31 vjeçari mendon se mund të përmirësohet edhe më tepër pas ardhjes së Fabregasit në klub nga Arsenali për rreth 29 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës.

Fabregas hyri në histori të Barcelonës duke shënuar në secilën prej katër ndeshjeve të tij të para në La Liga dhe Xavi ka përplot lëvdata për bashkëlojtarin e tij të ri. “Mendoj se Cesc e përmirëson lojën time dhe mendoj se kombinohemi shumë mirë mes vete”, tha Xavi për ueb faqen zyrtare të klubit.

“Nëse ai shkon përpara, unë qëndroj prapa dhe e mbuloj atë ose e kundërta. Jam shumë i lumtur në fushë, ashtu ndihet edhe ai. E kemi treguar këtë shumë herët këtë sezon”, shtoi ai.

I pyetur rreth sistemit 3-4-3 të përdorur në ndeshjet e fundit në La Liga, Xavi tha: “Ky sistem është mjaft i mirë. Duke marrë parasysh se jemi ekip që mban përqindje të madhe të topit, është ide e mirë të kemi një njeri shtesë në mesfushë. Mbrojtja e ka më vështirë, por mendoj se është më mirë të kemi një mesfushë edhe më të fuqishme. Mendoj se kemi dominuar të gjitha ndeshjet tona deri më tani dhe kemi luajtur mirë”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›